CEZ- ERE-së: Do të shkurtojmë pagat dhe vendet e punës
Nuk është pritur dhe aq mirë vendimi i Entit Rregullator të Energjisë (ERE) për mos ndryshimin e çmimit nga kompania CEZ, e cila ka paralajmëruar se ky vendim e detyron kompaninë të ulë investimet, pagat madje të shkurtoj dhe disa vende pune.
Me vendimin e saj ERE nuk ka pranuar kërkesën e CEZ Shpërndarje për rritjen e çmimit mesatar të energjisë për konsumatorët në 4.5%, madje ajo ka rritur tarifën e energjisë që CEZ blen te KESH, me dyfish të çmimit.
Në deklaratën e CEZ thuhet se nga vendimi i ERE-së kompania ka pësuar ulje prej 19% të tarifës së shpërndarjes dhe shitjes së energjisë elektrike.
Tarifa fundore është mbajtur në të njëjtin nivel edhe pas rritjes prej 91% të tarifës të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) dhe rritjes prej 8.3% të tarifës së Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST). Ulja e të ardhurave me 19% e detyron kompaninë të marrë masa te 4500 punonjësit, duke nisur me shkurtimin e pagave, e deri te largimet nga puna, thuhet në deklaratën e CEZ.