E Diel, 1 Nëntor 2026

Majko drejt OKB-së, propozohet si ndihmës i Ban Ki Munit

Vendimi do të merret në janar nga vetë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun. Kjo është hera e parë që Shqipëria do të përfaqësohet në një nivel kaq të lartë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Mësohet se propozimi ka ardhur nga një ambasadë e huaj në Tiranë dhe i është dërguar selisë qendrore të OKB-së, ndërsa ditën e enjte Majko është larguar nga salla e Kuvendit, për të marrë pjesë në një video-konferencë rreth këtij propozimi.

Në lidhje me këtë propozim Majko deklaroi: “Për një politikan karriere si unë, pavarësisht moshës sime të re, është gjithmonë i mirëpritur rasti për të dhënë kontributin individual përtej kufijve kombëtarë. Marrja në konsideratë për të qenë pjesë e mundshme e një qeverisjeje globale do të ishte një nder për cilindo politikan karriere. E theksoj dhe njëherë se kandidimi i emrit tim është thjesht në stadin e kandidaturave jo të pakta që arrijnë pranë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, dhe që në fund është Shkëlqesia e tij Z. Ban Ki-Mun ai i cili do të përzgjedhë kandidaturën më të përshtatshme”.

Ai theksoi se  “sot Kombet e Bashkuara po marrin një rol akoma dhe më primar në menaxhimin e krizave, paqes, zhvillimit njerëzor si dhe luftës kundër varfërisë në botë. Shqipëria është një vend i vogël, por që 10 vjetët e fundit ka ditur të japë kontributin e saj në paqen jo vetëm në rang rajonal, në menaxhimin e krizës se Kosovës dhe Maqedonisë, por edhe atë global me pjesëmarrjen e saj në paqeruajtësit e kombeve të bashkuara”.

Pandeli Majko prej gati 20 vjetësh është deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Në vitin 1999, kur ishte kryeministër, menaxhoi situatën gjatë luftës në Kosovë. Më pas ka qenë Ministër i Mbrojtjes, ndërsa është një nga figurat kryesore të Partisë Socialiste që nga themelimi i saj.
/Start/E.B/

                                                                                             2011-12-17 08:27
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›