CEZ: Përmbaruesit te klientët debitorë
Juristja e CEZ: Çfarë ndodh kur faturat e energjisë nuk paguhen.
Kompania “CEZ Shpë-rndarje” ka nisur të bashkëpunojë me dhjetë kompani private përmbarimore me qëllim ekzekutimin e urdhrave ekzekutive të lëshuar nga gjykatat e vendit për klientët debitorë.
Bashkëpunimi ka nisur nga nëntori i vitit të kaluar, dhe ky projekt po zhvillohet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Deri më sot janë ekzekutuar dhjetëra urdhra. Çdo muaj kompania çon në gjykata rreth 5-6 mijë raste për klientë debitorë, që përfshijnë klientë familjarë, privatë, buxhetorë e jo buxhetorë. Numri i rasteve të dërguara për ekzekutim ësht렠 1 391, në vlerën 1 724 047 555 lekë. Të dhënat në fjalë konfirmohen nga Brunilda Vasha, juriste në departamentin NTL Special të CEZ Shpërndarje. Në një prononcim për gazetën “Panorama”, juristja Vasha shpjegoi praktikat e ndjekura nga CEZ Shpërndarje për të rritur arkëtimet dhe përmirësuar cilësinë e shërbimit që kompania u ofron klientëve të saj. Në lidhje me procedurën e ndjekur për një ekzekutim urdhri, juristja Vasha sqaroi se kompania “CEZ Shpërndarje” i dorëzon përmbaruesit vendimin e Gjykatës, që është një urdhër ekzekutimi dhe në vijim, mbi bazën e tij përgatitet dosja për ekzekutim. “Referuar kontratës bazë, që çdo shoqëri përmbarimi ka kontraktuar me kompaninë tonë, shlyhen detyrimet për çdo debitor, në bazë të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë, nenet 913-934. Marrëdhëniet tona bazohen edhe në ligjin nr.9109, dt 17.07.2003 ‘Për Avokatinë në RSH’, ligjin nr.10031, datë 11.12.2008 ‘Për shërbimin përmbarimor privat’, si dhe në legjislacionin në fuqi në momentin e nënshkrimit të kësaj kontrate. CEZ Shpërndarje, në cilësinë e kreditorit, i dorëzon përmbaruesit vendimin e Gjykatës, që është një urdhër ekzekutimi, mbi bazën e të cilit përgatitet dosja për ekzekutim. Kjo dosje përmban kontratën e shërbimit për çdo debitor, të bazuar mbi të dhënat e vendimit të gjykatës; autorizimin nga CEZ për përmbaruesit, që të veprojnë për ekzekutimin e urdhrit ekzekutiv; faturat e pashlyera të çdo debitori dhe pagimin e tarifave përmbarimore”, u shpreh Vasha. Në vijim, sipas saj, pas plotësimit të kësaj dosjeje, përmbaruesi fillon ekzekutimin e detyrimeve të një debitori, sipas vendimit të Gjykatës. Ekzekutimi lidhet me disa faza dhe afate. Ai mund të përmbushet që në afatin e njoftimit, vullnetarisht, brenda 10 ditëve, ose mund të përmbushet me procedurat ligjore të sekuestrove konservative, që do të thotë bllokim i të gjitha llogarive bankare (depozita) të debitorit në bankat e nivelit të dytë. Si afat, kjo procedurë mund të shkojë nga 20 deri në 25 ditë. Në raste të tjera, ekzekutimi mund të përmbushet edhe me sekuestrimin e pasurive të luajtshme e të paluajtshme. “Ekzekutimi përmbushet edhe me sekuestrimin e sendeve të luajtshme e të paluajtshme, që si afat zë 2-3 muaj. Në këto raste, kalohet në procedura ankandi (vlerësim prone), që mund të kalojë në disa faza (ankand i parë, i dytë etj.). Vlerësimi bëhet rast pas rasti. Një ekzekutim pezullohet nëse brenda gjashtë muajve përmbaruesi, me procedura të veta dhe me ndihmën e kreditorit, nuk gjen asnjë pasuri financiare dhe pronësi të luajtshme dhe të paluajtshme”, pohoi Vasha. Sipas juristes Vasha, referuar raporteve të CEZ Shpërndarje, numri i ekzekutimeve ka kapur shifrën e 42 rasteve në muaj. “Vetëm javën e kaluar u kryen nëntë ekzekutime e numri i tyre pritet të rritet, duke qene se është kaluar në hapat e forcës shtrënguese, që lidhet me bllokimin e aseteve bankare dhe pronësive të paluajtshme të debitorëve”, u shpreh juristja.
SHLYERJA
Burime zyrtare pranë CEZ Shpërndarje sqarojnë se përpara se çështja të shkojë në Gjykatë, nga ana e kompanisë kryhet njoftimi i konsumatorit për detyrimet që ka. Në aktin e njoftimit përcaktohet vlera e detyrimit dhe më pas procedohet me ndërprerjen e energjisë elektrike. Ndërkohë, në rastet kur çështja ka shkuar në Gjykatë dhe klienti e paguan detyrimin, CEZ Shpërndarje heq dorë nga kërkesa për lëshimin e urdhrit ekzekutiv. Ky detyrim cilësohet si i përmbushur. Po sipas të dhënave nga CEZ, në raste kur çështja është dërguar dhe ka nisur procedimi nga kompania e përmbarimit, ajo mund të pushohet në momentin kur faktohet që klienti ka kryer pagesën dhe procedohet me kthim prapa, pra pushohet si çështje. Për shkak të disa vështirësive të hasura në identifikimin e debitorëve, të dhënave të tyre, apo adresave, CEZ Shpërndarje, në cilësinë e furnizuesit, por dhe të kreditorit, është duke punuar vazhdimisht për saktësimin e të dhënave të klientëve. Kjo bëhet me qëllim sigurimin e saktësinë që kontrata i përket abonentit, objektit në vend, matësit që mat konsumin për objektin, ku është lidhur kontrata e furnizimit me energji elektrike. Sipas juristes Vasha, për rastet kur debitorët nuk kanë mundësi financiare, mund të ofrohet pagesë me këste. “CEZ Shpërndarje mundëson për të gjithë klientët marrëveshje, të cilat ofrojnë pagesë me këste të detyrimeve që klientët kanë, gjithmonë brenda afateve ligjore ekzekutive, që do të thotë jo më shumë se gjashtë muaj”, përfundoi Vasha.