Tiranë, goditen dy banda vjedhësish
Dy grupe kriminale që vepronin në grabitjen e pikave të basteve dhe automjeteve u shkatërruan nga Policia e Tiranës, e cila ka vënë në pranga pesë persona dhe ka identifikuar e shpallur në kërkim dy të tjerë.
Dy operacionet e policisë u zhvilluan gjatë fundjavës dhe u finalizuan me kapjen e të dyshuarve për 20 vjedhje në lokale bastesh dhe, po ashtu, edhe ndalimin e të dyshuarve për vjedhjen e 10 automjeteve. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Tiranës, gjatë operacionit të koduar “Prince”, u krye arrestimi i Robert Mustës, 21 vjeç, Marsid Pezës, 21 vjeç, Genc Nezirit, 41 vjeç, si dhe u shpall në kërkim Liman Barziu. Kapja dhe arrestimi i këtyre personave mësohet se është bërë në bashkëpunim mes forcave të disa komisariateve të policisë. Burimet nga Policia konfirmuan se këta persona akuzohen të kenë kryer grabitjet e lokaleve, kryesisht bastesh sportive dhe qendra interneti, në Tiranë e Fushë-Krujë, që nga janari i këtij viti e deri mbrëmjen e së dielës, kur po tentonin të kryenin vjedhjen e radhës, afër Kodër-Kamzës. Të dyshuarit vidhnin kryesisht televizorë plazma, por edhe objekte të tjera me vlerë. Një pjesë e televizorëve të vjedhur u sekuestruan nga policia, ndërsa shumica e tyre dyshohet të jenë shitur nga autorët, që më pas kanë ndarë fitimet me njëri-tjetrin.
VJEDHJET E MAKINAVE
Operacionin i dytë i Policisë së Tiranës, bashkë me Policinë e Gramshit e Beratit, u finalizua me zbulimin e një grupi prej katër personash, që vidhnin automjete në kryeqytet dhe disa qytete të tjera të vendit. Nga një hetim i nisur prej disa muajsh, nga oficerët e Komisariatit Nr.4 të kryeqytetit u bë i mundur arrestimi i Zenun Xakës, 26 vjeç, nga Kruja, Dorian Xhoxhajt, 25 vjeç nga Berati, i cili ishte shpallur në kërkim me masë sigurimi “arrest në burg” në mungesë dhe Dritan Metës, 26 vjeç. Gjithashtu u identifikua dhe u shpall në kërkim policor bashkëpunëtori i tyre i katërt, Halim Xeka, nga Kruja. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Tiranës, mësohet se bazuar në informacionet hetimore të marra në ngarkim të këtyre personave, ka rezultuar se kanë vjedhur dhjetëra automjete gjatë periudhës shtator, tetor, nëntor, dhjetor 2011 dhe në muajt e parë të këtij viti. Sipas të njëjtave burime, vjedhjet janë kryer më së shumti në Tiranë, por edhe në Berat, Kuçovë, Gramsh, Elbasan, Korçë, Pogradec dhe Librazhd. Policia tha se vazhdojnë hetimet për të zbardhur dhe dokumentuar të tjera vjedhje të realizuara duke u shtrirë në disa qytete të vendit.
MAKINAT
Pas arrestimit të tre prej të dyshuarve me akuzën e vjedhjes së automjeteve dhe shpalljes në kërkim të një personi tjetër, Policia tha se është bërë dokumentimi ligjor i implikimit të tyre në ngjarje të kryera në qytetet Tiranë, Berat, Kuçovë, Gramsh, Elbasan, Korçë, Pogradec dhe Librazhd. Gjatë hetimeve në qytetet e mësipërme, ka rezultuar se këta persona dyshohet të jenë autorë të implikuar në 15 vjedhje të automjeteve vetëm në Tiranë.LOKALET
Pas arrestimit të 3 autorëve për vjedhjen e lokaleve të basteve në Tiranë, policia ka provuar 19 ngjarje të tjera kriminale, përveç rastit të fundit, që ndodhi mbrëmjen e së dielës. Sipas Policisë, janë provuar vjedhjet tek rruga e Shkodrës, në Lagjen 4 Bathore, në rrugën “Sali Butka”, “Ramazan Kasa”, “Muzakaj”, “Jordan Misja”, “Allaman Dervishi”, “Pandi Dardha”, në fshatin Yrshek, Fushë-Mëzes, në rrugën “Siri Kodra”, “Unazë e Re”, në Yzberisht dhe në Fushë-Krujë.
ETLEVA DELIA