E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherr Sedorf-Alegri te Milani

Torino qesh, Milano qan. Por situata është edhe më e rëndë në kampin kuqezi. Pasi gjatë ndeshjes Milan-Bolonja, mesfushori holandez Klarens Sedorf, i cili nuk e ka pritur mirë largimin nga fusha, nuk ka ngurruar të ofendojë teknikun kuqezi. Alegri e zëvendëson Sedorfin në minutën e 56′ duke aktivizuar në fushë Kasanon. Holandezi nuk e priti mirë largimin nga fusha, dhe drejtohet menjëherë në dhomat e zhveshjes pa i dhënë dorën teknikut kuqezi. Por pesë minuta më vonë kthehet të ulet në pankinë duke tundur kokën dhe instinktivisht ofendon Alegrin: “Shko ore p….”. Kamerat e “Sky Sport” e kanë fiksuar qartë këtë imazh. Por në përfundim të ndeshjes, mesfushori holandez është justifikuar kështu: “Nuk e kisha me Alegrin, por me veten”. Alegrit nuk i ka pëlqyer paraqitja e skuadrës së tij kundër Bolonjës. Dhe në përfundim të ndeshjes së “San Siros” nuk ka ngurruar t’ia shprehë skuadrës zemërimin e tij në dhomat e zhveshjes: Kush nuk beson tek aftësitë e mia, të ma thotë tani”, i ka ulëritur tekniku kuqezi skuadrës së tij. Dhe nga kjo deklaratë ka lindur një tjetër debat me Sedorfin: “Dëgjo këtu ti, – i ka thënë holandezi. Vetëm nëse më trajton si futbollist të madh, atëherë jap maksimumin. Pastaj çfarë janë skema që po përdor në fushë”. Ka ndërhyrë Ibrahimoviç që si tekniku dhe mesfushori ta linin me aq diskutimin.

Juve drejt titullit, falë kalendarit
Juventusi tashmë është një hap larg titullit. Tashmë edhe kalendari i favorizon. Ditën e nesërme bardhezinjtë do udhëtojnë drejt Çezenës, ku i pret një sfidë jo e lehtë, por gjithsesi e përballueshme. Më pas luajnë ndaj Novarës dhe më 2 maj me Leçen. Edhe transferta me Kaljarin pritet të mos jetë aspak e vështirë, sidomos nëse bardhezinjtë deri më datë 6 maj do të kenë koleksionuar vetëm fitore. Javën e fundit të kampionatit ekipi i Kontes do ta mbyllë në shtëpi dhe do jetë mënyra më e mirë për të fituar titullin ndaj Atalantës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›