E Shtunë, 31 Tetor 2026

CEZ Shpërndarje: Taksa e Televizionit shkon në buxhetin e shtetit

SHKRUAN: Sabina Veizaj 12-03-2011 12:33

CEZ Shpërndarje ka sqaruar dje, nëpërmjet një deklarate për shtyp, gjithë klientët e saj në lidhje me taksën prej 100 lekësh të Televizionit Publik Shqiptar. “Në përgjigje të disa raportimeve nga mediat shqiptare, në lidhje me arkëtimet nga ana e CEZ Shpërndarje, të taksës të Televizionit Publik, duam të sqarojmë klientët tanë se arkëtimi i kësaj takse është një detyrim që rrjedh nga ligji 9975 për Taksat Kombëtare. CEZ Shpërndarje sh.a., bazuar në udhëzimet e Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Radio Televizionit Shqiptar, është përgjegjëse për faturimin dhe arkëtimin e tarifës mujore, prej 100 Lekë të Televizionit Publik”, - citohet në deklaratën e CEZ Shpërndarje. Kompania në fjalë thekson se nuk faturon kategoritë, që në bazë të Nenit 11 të Ligjit 9975 ‘Për Taksat Kombëtare’ përjashtohen nga kjo tarifë. CEZ Shpërndarje vë në dijeni se është në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Financave dhe ka informuar në vazhdimësi për kategoritë e klientëve që janë ankuar për faturimin e kësaj takse. CEZ Shpërndarje deklaron se faturimi dhe arkëtimi i taksës së televizorit është një detyrë që kompania private CEZ Shpërndarje sh.a. po bën për shtetin shqiptar dhe taksa në fjalë e mbledhur i kalon shtetit shqiptar, për të mirën e Televizionit Publik. Pak ditë më parë, disa media kanë raportuar ankimet e konsumatorëve shqiptarë për pagesën e 100 lekëve taksë për Televizionin Publik Shqiptar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›