Jaka: Amnistia, biznesi të mos tatohet më shumë se 5%
Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe industrisë Tiranë, Nikolin Jaka, në vazhdën e debateve për Amnistinë Fiskale, ka kërkuar dje që me realizimin e saj, tarifat për biznesin të mos jenë më të larta se 5%. Kjo, sipas tij, do të sillte realizim më të mirë të amnistisë fiskale, pasi me anë të legalizimit të aseteve do të çlirohen deri në 20 miliardë euro për ekonominë shqiptare. Ai gjykon se amnistia fiskale është një paketë e domosdoshme për ekonominë shqiptare. Kufiri i 5%-it është një nga propozimet e komunitetit të biznesit, pjesë e draftit të propozuar për amnistinë fiskale, Ministrisë së Financave dhe që ndodhet tashmë në zyrat e institucionit në fjalë. Drafti i hartuar nga biznesi vjen si qasje e ligjit të aplikuar në shumë vende të tjera, në lidhje me të njëjtin proces. Burime nga Ministria e Financave bëjnë me dije se drafti është drejt përmbylljes, mungojnë vetëm rregullimet e fundit, pas diskutimeve që janë bërë me grupet e interesit. Pas deklaratave të opozitës, që kundërshtojnë kategorikisht mundësinë e dhënies së votës për ligjin e amnistisë fiskale, skenari i mundshëm pritet të vendoset ai që ka të bëjë me faljen e gjobave dhe detyrimeve të biznesit në këto 20 vite tranzicion. Sipas këtij varianti, mendohet që falja të realizohet në masën 100 milionë dollarë, nga 400 milionë dollarë që është shuma totale që pritet të amnistohet. Burimet nga financat thonë se sipas projektligjit që po përfundon, bizneset do të paguajnë një taksë prej 3 % të gjobave të papaguara. Ky variant ka të bëjë thjesht me faljen e gjobave dhe është më i realizueshëm, duke marrë parasysh se nuk kërkon shumicë të cilësuar për miratim. Për çdo gjobë ose kamatë të papaguar që do të falet, do të vihet 3% taksë. Dhe kjo lloj faljeje do të përjashtojë kapitalet. Në të njëjtën kohë, kryeministri Berisha i ka bërë sërish thirrje opozitës të mos politizojë këto projekte, siç bëri me amnistinë fiskale, që sipas tij është në interes të biznesit. “Ftoj opozitën të mos politizojë, sepse ishte për mua shumë absurde përpjekja e tyre për të politizuar amnistinë. Unë prisja një entuziazëm nga opozita, realisht mund të ishte ajo iniciatore e saj”, - deklaroi më tej kryeministri. Vendimi për amnistinë fiskale u mor një javë më parë në mbledhjen e qeverisë, pasi ishte diskutuar formalisht një vit më parë. Pritet që ligji të aplikohet përpara zgjedhjeve lokale të majit 2011. Debati mbi amnistinë fiskale ka nisur një vit më parë, por me shpërthimin e krizës politike mbeti në pikën e fillimit, pasi amnistia e plotë si ligj i rëndësishëm kërkonte 3/5 e votave në parlament, gjë që opozita nuk i jepte. Në këtë mënyrë, në prag të zgjedhjeve lokale qeveria ka propozuar dy skenare.