E Shtunë, 31 Tetor 2026

'CEZ Shpërndarje' nis sot importin e ri për energjinë

TIRANË- 'CEZ Shpërndarje' ka nisur sot importin e ri të energjisë elektrike, me qëllim që të sigurohet mjaftueshëm energji për mbulimin e humbjeve. Burime pranë CEZ bëjnë me dije se, sasia e importuar sot është 4 milionë KWH në ditë. 

"Kjo sasi do të ndikojë që KESH të mos ulë nivelin e liqenit të Fierzës për prodhimin e kësaj sasie ditore të energjisë për konsumatorët", bënë të ditur burimet e CEZ-it. 

Nëse CEZ nuk do të niste importin e energjisë të nevojshme për të përballuar nivelin e humbjeve, kompania e prodhimit KESH rrezikon të ulë nivelin e ujit në liqenin e Fierzës duke prodhuar energji më shumë për të furnizuar konsumatorët. 

Në stinën e verës, vitet e fundit konsumi i energjisë ka arritur të barazohet me atë në stinën e dimrit. 

5 ditë më parë, drejtori i Përgjithshëm i KESH, Halit Velaj kërkoi që CEZ Shpërndarja të nisë sa më parë importin e energjisë, të nevojshme për të përballuar humbjet në rrjet. Sipas tij, kjo sasi është e nevojshme për të mbajtur nivelin e liqeneve mbi Drin në kuota të kënaqshme që garantojnë prodhimin e energjisë të nevojshme për furnizimin me energji për stinën e verës.

Gjithashtu Velaj kërkoi që CEZ Shpërndarja të nisë shlyerjen e detyrimeve të trashëguara nga koha kur administrohej nga çekët. "CEZ nuk i ka shlyer detyrimet për vitin 2013, të cilat ishin ishin 30 miliardë lekë dhe deri tani, ky borxh është rritur dhe me 14 miliardë të tjerë. Sot borxhi i CEZ-it është rreth 450 milionë dollarë në total", u shpreh Velaj.

CEZ sqaron më tej se, ‘Nuk do cënohen rezervat energjetike të KESH’.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›