Ndotja, ISHP: Kurum-i larg standartëve të BE-së. Tymi, vetëm efekt viziv
Elbasan- “Ndotja rezulton brenda parametrave kombëtare, firma është larg parametrave të BE-së”,- kështu ka deklaruar sot drejtori i Inspektoriatit të Shëndetit Publik, Adi Hoxha, i cili inspektoi kompaninë industriale turke KURUMnë zonën industriale të Elbasanit.
Pas takimit mes grupeve të ISHP-së, DSHP-së, ARM dhe ‘KURUM’-it, Hoxha theksoi se normat tona kombëtare për ndotjen në krahasim me ato të BE-së lëvizin me rreth 60%.
Hoxha kontrolli parametrat e ndotjes për Elbasanin, të emëtuara nga kompanitë industriale të huaja.
Në një prononcim për mediat Hoxha tha se ‘i tha afat kompanisë KURUM, deri në shtator për realizimin e premtimeve’. Drejtori i Shëndetit Publik tha se i ka kërkuar shpjegime “KURUM”-it me raportimet për fikjen e filtrave gjatë natës. Sipas Hoxhës, drejtuesit e firmës e kanë siguruar se kjo nuk ndodh sepse sistemi është i lidhur me direkt me prodhimin.
Hoxha tha se ajo qe duket gjatë natës është vetëm ‘efekt-viziv i avullit që çlirohet nga ftohja e skorjes dhe jo tym ndotës’.
“Ka një handikap në lidhje me aparaturat matëse të ndotjes të dhuruara nga BE-ja vetëm për qytetin e Elbasanit, të cilat nuk funksionojnë,-tha Hoxha, i cili kërkoi ndërhyrjen e institucioneve përgjegjese për vënien në punë të tyre.
Sakaq ISHP-ja do të vijojë inspektimin edhe në firma të tjera për vlerësimin nëse kompanitë industriale në vendin tonë përmbushin ruatjen e parametrave për minimizimin e ndotjes.