CEZ, merr "çelësat" e OSSH-së
Kredia 60 milionë euro do të garantojë respektimin nga pala shqiptare të kontratës së shitjes së OSSH-së
TIRANË- Banka Botërore miratoi kredinë 60 milionë euro ndaj shtetit shqiptar, me anë të të cilës garantohet kontrata e privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes nga kompania çeke CEZ.
Marrëveshja u nënshkrua dje në prani të, ministrit të Financave, Ridvan Bode, atij të Ekonomisë, Genc Ruli, përfaqësueses së Bankës Botërore në Shqipëri, Greta Minxhozi, dhe kreut të OSSH-së Sahit Dollapi.
Në bazë të marrëveshjes midis Bankës Botërore dhe qeverisë shqiptare, kjo shumë parash do të futet në qarkullim për të dëmshpërblyer privatizuesit çekë, nësë ky i fundit do të dëmtohet ekonomikisht nga ndonjë jokorrektësi e palës shqiptare në zbatimin e kushteve që janë të parashikuara në deklaratën rregullatore për një periudhë pesë vjeçare.
"Nëse Enti Rregullator i Energjisë Elektrike, nuk respekton Deklaratën Rregullatore të miratuar dhe ky vendim i shkakton një humbje kompanisë së shpërndarjes, atëherë kjo e fundit ka të drejtë të mbuloje humbjen duke përdorur kredinë që është në emër të shtetit shqiptar",- citohet në kontratën për kredinë që u nënshkrua dje midis palëve.
Sipas ministrit të Financave, Bode, kredia në fjalë nuk ka për të shkaktuar asnjë kosto financiare për buxhetin nëse shteti shqiptar i qëndron korrekt kushteve që janë parashtruar në deklaratën rregullatore të ERE-s.
Pas fillimit të procedurave të privatizimit të OSSH-së dhe me shfaqjen e krizës ekonomike globale, kompania CEZ, kërkoi edhe një siguri më shumë për një mbarëvajtje korrekte të këtij privatizimi duke i kërkuar Bankës Botërore që me anë të një kredie të garantonte respektimin e kontratës nga pala shqiptare. Marrëveshja e shitjes së 76 për qind të aksioneve të OSSH-së, tek kompania CEZ u nënshkrua më datë 11 prill.
Kredia në fjalë do të garantojë për një periudhë pesë vjeçare ecurinë e shoërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike të Shqipërisë nga privatizuesi.