Topi: Hapni sa më shumë vende pune
"Gjetja e fondeve gjatë krizës financiare globale, mbetet guri i provës për një mbrojtje të sigurtë shoqërore nga shteti"
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, shpjegoi se, një punësim sa më gjërë do të shmangte pasojat negative të krizës.
TIRANË- Presidenti i republikës, Bamir Topi, i kërkoi dje qeverisë dhe të gjithë aktorëve ekonomikë në vend, që të marrin masat që efektet negative të krizës globale të mos reflektohen drejtpërdrejt në ekonomitë familjare të shqiptarëve.
Në fjalën e tij gjatë aktivitetit të zhvilluar në Tiranë me rastin e 90 -vjetorit të ngritjes së Organizatës Ndërkombëtare të Punës, Topi theksoi, se në këto kohë paqartësisht financiare e rëndësishme është gjetja e fondeve për të siguruar frytshmërinë e programeve të mbrojtes shoqërore nga shteti.
"Sigurimi i fondeve të mjaftueshme për gjatë gjithë periudhës së ndikimit të krizës financiare globale, natyrisht, mbetet guri i provës për një mbrojtje të sigurtë shoqërore të familjeve me të ardhura të pakta, për pensionistët dhe për kategori të tjera të ngjashme, pa rënduar ato kategori që janë të zënë me punë, pasi programet e mbrojtjes shoqërore mund të konsiderohen efektive dhe efiçente vetëm po qe se do të gjejmë burime të mjaftueshme",- tha Presidenti i Republikës duke shtuar se, e vetmja mënyrë e efektshme e shmangies së efekteve të krizës në ekonomitë familjare është nxitja e politikave të punësimit.
Sipas tij, është e rëndësishme që të merren masa për hapjen e vendeve të punës për gratë dhe të rinjtë, veçanërisht, për ata që jetojnë në zonat periferike të qyteteve të mëdha.
"Një numër sa më i madh të punësuarish, krahas përmirësimit të ekonomisë së çdo familjeje, do të ndikonte dhe në rritjen ne sasisë së eksporteve të vendit",- tha ai.
Gjatë fjalës së tij, Presidenti i kushtoi një vëmendje të veçante edhe rritjes së konkurueshmërisë profesionale në tregun e punës.
Në këtë situate ekonomike, theksoi ai, i duhet kushtuar rëndësi përgatitjes së punonjësve të kualifikuar, me qëllim rritjen e aftësive të tyre konkurruese në një të ardhme të afërt në tregun ndërkombëtar të punës, duke marrë në konsideratë faktin se çdo ditë e më tepër po rritet mundësia e lëvizjes pa viza drejt tregjeve të punës në vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
I pranishëm në takim, Drejtori i ONP-së, për Evropen Qëndrore dhe Lindore, Mark Levin, kërkoi vëmendje nga qeveria në trajtimin e njërit prej efekteve të krizës, siç është rritja e nivelit të papunësisë.
"Kriza në bote ka bërë që në të gjithë botën të mbyllen një numër tejet i madh vendesh pune, do të ishte e pamundur të besonim që në Shqipëri nuk do të ketë humbje të tilla", paralajmëroi Levin.