E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, Berisha zgjeron koalicionin parazgjedhor

Kryeministri firmosi dje marrëveshjen me partinë e Lesit dhe PBKD-në.


TIRANË- Lidhja Demokristiane e Shqipërisë dhe Partia e Ballit Kombëtar Demokrat, janë dy partitë e tjera që i shtohen listës së partive të vogla, me të cilat, Kryeministri Sali Berisha ka lidhur koalicion parazgjedhor.

Marrëveshjen e parë, dje, Kryeministri Berisha e firmosi me kryetarin e LDK-së, Nikollë Lesi, i cili ka qenë jo pak kritik ndaj punës së disa ministrave. Kryeministri Berisha tha se, pavarësisht nga divergjencat, kryetari i LDK-së, Lesi, nuk e kishte bashkuar votën me kundërshtarin.


"Një gjë është e sigurt, që pavarësisht nga dallimet dhe diferencat, zoti Lesi nuk e ka bashkuar votën me kundërshtarin. Ky është fakt që nuk mund t'i mohohet. Ky ka pasur dhe problemet e veta, kështu që kjo është e tolerueshme. Por, kur ka ardhur puna tek kthjelltësia politike, sepse këtë e tregon vota, votën e ka pasur për koalicionin në të gjitha rastet e duhura.


Ndaj, dhe unë e kam shumë kënaqësi që e nënshkrova këtë marrëveshje. Jam i sigurt që do të fitojmë dhe do të qeverisim së bashku",- tha dje Berisha. Ndërsa kryetari i LDK-së, Lesi, sqaroi se problemet që kishte ngritur ishin në të mirë të mazhorancës. Po dje, Kryeministri Berisha firmosi marrëveshjen edhe me kryetarin e PBKD-së, Artur Roshi.


"Kjo marrëveshje me Ballin Kombëtar Demokrat kompleton marrëveshjet e përbashkëta të dhjetë forcave politike parlamentare të mazhorancës elektorale më të gjerë që ka njohur vendi në këto 18 vjet. Partia e Ballit Kombëtar Demokrat mbart vlera shumë të çmuara, mbart një martirizim të vërtetë për idealet kombëtare, për vlerat kombëtare dhe individuale", - tha Berisha pas firmosjes.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›