CILECT Berishës: Ekziston një përjashtim kulturor
Shoqata Ndërkombëtare e Shkollave të Kinemasë dhe Televizioni i shkruan kryeministrit shqiptar për çështjen e Akademisë Marubi:
"Ne besojmë se edhe pse mund të ketë një argument të përgjithshëm për forcat e tregut. Tregjet mund të korrigjojnë vetveten me kalimin e kohës, por dëmi që i bëhet kulturës ndodh në pak kohë dhe është virtualisht i pakthyeshëm."
Më e qetë situata dje në oborrin e Akademisë së Filmit dhe Multimedias Marubi, mbase ngaqë i vetmi objekt për t'u hequr ka mbetur ekrani i madh.
Drejtori i Alba Film Studios, Fatmir Musaj i është drejtuar dje me një shkresë zyrtare rektorit Kujtim Çashku që të heqë me vullnet të lirë ekranin nga oborri i cili tashmë është rrethuar me rrjetë teli duke u identifikuar si hapësirë nga e cila "Marubi" duhet të heqë dorë. Asgjë nuk ka ndodhur deri pasdite vonë.
Ndërkohë mesazhe nga bota, nga partnerë të Akademisë kanë mbërritur edhe në adresë të kreut të qeverisë Sali Berisha.
CILECT, Shoqata Ndërkombëtare e Shkollave të Kinemasë dhe Televizioni i shkruan kryeministrit: "I dashur Z. Kryeministër, në emër të shkollave të filmit të botës, Këshilli Ekzekutiv i CILECT, Centre International de Liason des Ecoles de Cinéma et de Télévision dëshiron të regjistrojë shqetësimin e vet për evakuimin e ambjenteve të Akademisë së Filmit dhe Multimedias "Marubi". CILECT-i, e themeluar në 1954, është organizata botërore e shkollave madhore të filmit me 142 anëtarë në më shumë se 50 kombe. Kombe të ndryshme si Izraeli, Gjermania, Franca, Belgjika, dhe shumë të tjerë kanë themeluar shkolla të reja dhe përforcuar ato ekzistuese për dy arsye bindëse.
Ato e kuptojnë se trajnimi i personelit të filmit dhe multimedias është një investim për të ardhmen afat-shkurtër dhe afat-gjatë, për shkak të përfitimeve ekonomike që burojnë prej këtyre industrive në shekullin e 21-të."
Këshilli Ekzekutiv i CILECT-it ka theksuar se filmi e multimedia janë mjetet me anë të të cilave shprehet kultura për shumicën e njerëzve. "Ne besojmë se edhe pse mund të ketë një argument të përgjithshëm për forcat e tregut, ekziston gjithashtu një përjashtim i rëndësishëm kulturor. Tregjet mund të korrigjojnë vetveten me kalimin e kohës, por dëmi që i bëhet kulturës ndodh në pak kohë dhe është virtualisht i pakthyeshëm."
Presidenti i Këshillit, Don Zirpola, LMU, Los Angeles, ka shprehur solidaritetin e 142 shkollave anëtare të CILECT-it anembanë botës, në mbrojtje të Akademisë së Filmit dhe Multimedias "Marubi", si një shkollë tepër domethënëse në edukimin e filmit dhe multimedias në Europën jug-lindore, e vetmja shkollë e filmit dhe multimedias në Shqipëri, anëtare aktive me të drejta të plota e CILECT-it. Nga përvoja jonë, statusi i shkollave të filmit në një vend është një tregues i pakontestueshëm i vizionit ekonomik të një kombi dhe vetë-respektit kombëtar.
Me sa kemi kuptuar ne, Shqipëria shqetësohet shumë për identitetin e vet kulturor, dhe se qeveria aktuale është e përkushtuar ndaj zhvillimit ekonomik e social", përfundon deklarata drejtuar kryeministrit.
Pasdite rektori Çashku ka dalë para medias duke shprehur repektin dhe falenderimin për të gjithë ata të cilët janë vënë në mbështetje të Akademisë, përfshi mbështetjen e përfaqësive diplomatike, po edhe të opinionit publik, të qytetarëve dhe intelektualëve, brenda dhe jashtë vendit. Qëndrojmë në thirrjet tona drejtuar qeverisë për të vlerësuar edhe njëherë implikimet e Policisë së Shtetit në Kampusin tonë Universitar".
Ai e ka mbyllur deklaratën për shtyp duke pohuar se nuk do të shkatërrohet asgjë që është bndërtuar me ndërgjegje të plotë qytetare, prej pesë vjetësh.
I ka bërë thirrje AlbaFilmit të heqë dorë nga çdo përpjekje që pengon procesin akademik si dhe së bashku të gjejmë zgjidhje për situatën e krijuar në mënyrë që studentët t'u kthehen klasave dhe produksionit tonë kinematografik."
Protestë
me shqetësim të madh mësuam se Akademia e Filmit Marubi në Tiranë, të cilën e lidh me Institutin Goethe një bashkëpunim shumëvjeçar mjaft i suksesshëm, po kërcënohet në ekzistencën e vet.
Dënojmë sidomos mënyrën e ndërhyrjes së dhunshme, shkatërrimin e vlerave kulturore dhe teknike, çka shkel në mënyrë të rëndë parimet demokratike të shtetit ligjor. Shumë nga të mirat materiale këtu janë krijuar me mjete financiare publike dhe private nga Gjermania, ndaj këtë veprim e shohim edhe si cenim të interesave tona.
Për një shoqëri demokratike liria e arsimit dhe kulturës, ruajtja dhe përkujdesja e institucioneve të saj është një nga detyrimet dhe pasuritë më të larta.
Ju lutemi për lirimin e menjëhershëm të drejtorit dhe personave të tjerë të ndaluar bashkë me të, rehabilitimin e tyre të plotë, për një rishikim të menjëhershëm të vendimeve të marra si dhe riparimin e të gjitha prishjeve që mund të jenë bërë.
Me nderime të sinqerta
Ëolfger Pöhlmann
Drejtori i programit të
Institutit Goethe për Athinën dhe Europën Juglindore