Zgjedhjet, 385 kamera për numërimin e votave
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka miratuar projekt-aktin për përdorimin e kamerave regjistruese.
TIRANË- Zgjedhjet e ardhshme parlamentare pritet të jenë më të shtrenjtat jo vetëm për buxhetet e partive politike dhe kandidatëve të tyre, por edhe për vetë buxhetin e shtetit shqiptar. Mungesa e besimit mes faktorit politik në vend, por edhe kërkesa e ndërkombëtarëve për standarde demokratike, detyroi para pak kohësh Kuvendin që të përfshijë në Ligjin Zgjedhor detyrimin për të filmuar të gjithë procesin e numërimit të votave në 66 komisionet zonale të administrimit të zgjedhjeve, proces i cili, për shkak të teknologjisë që kërkon për t'u aplikuar, paraqet dhe një faturë të madhe financiare. Në funksion të këtij përcaktimi ligjor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përgatitur dhe do të miratojë gjatë seancës së sotme projekt-aktin për përdorimin e 385 kamerave regjistruese dhe të 385 monitorëve për shfaqjen e fletëve të votimit në vendet e numërimit të votave (VNV).
Sistemi
Në bazë të nenit 94 të Kodi Zgjedhor, KQZ-ja, për të krijuar mundësi monitorimi të procesit nga të gjithë aktorët e interesuar, si dhe nga ajo vetë, do të vendosë kamera me rezolucion të lartë, të cilat do të instalohen mbi çdo tavolinë numërimi për regjistrimin e vlerësimit të çdo flete votimi dhe transmetimin në kohë reale në monitorë (ekrane) të vendosur përballë vëzhguesve. Për shkak se ky proces përdoret për herë të parë në zgjedhjet në Shqipëri, kërkon ndërtimin nga e para në çdo vend të numërimit të votave, të një rrjeti fizik, ku do të përfshihen kamera, monitorë (ekrane), DVR (digital video registrator), etj. Në bazë të nenit të sipërcituar të Kodit Zgjedhor, do të duhet që në çdo VNV të ngrihen jo më pak se 5 dhe jo më shumë se 10 tavolina numërimi. Nga përllogaritjet e bëra nga KQZ-ja, rezulton se në të 66 VNV-të do të duhet të ngrihen 385 tavolina numërimi dhe, për rrjedhojë, do të duhen 385 kamera. Çdo kamerë do të duhet të lidhet me monitor TV ose me projektor, që projekton pamjen në ekran. Pra, do të duhen 385 monitorë TV, ose 385 projektorë dhe 385 ekrane. Monitorët ose ekranet, sipas rastit, do të duan mbështetës ku të qëndrojnë për t'u parë nga vëzhguesit. Të gjitha imazhet e marra nga kamerat do të regjistrohen edhe me zë, me pajisje përkatëse në çdo VNV. Si pasojë do të duhen 66 pajisje regjistruese që të mundësojnë regjistrimin e pandërprerë për një kohë jo më pak se 20 orë. Në të 66 VNV-të, do të duhet nga një network swich (rrjeti), për të bërë të mundur lidhjen e të gjitha pajisjeve në rrjetin fizik që do të ngrihet. Në rast ndërprerjesh të energjisë elektrike, lind nevoja për një burim alternativë energjie dhe që, sipas projekt-aktit të KQZ-së, kjo mund të bëhet më lehtë me "invertitor ups", me kapacitet që do t'u përshtatet pajisjeve në VNV-në përkatëse. Ndërkohë që, shpenzimet për realizimin e këtij projekti rriten edhe më shumë, për shkak se për ngritjen dhe mirëmbajtjen e këtij rrjeti vëzhgimi elektronik, do të duhen dhe 100 specialistë dhe teknikë. Por, për shkak se një projekt i tillë zbatohet për herë të parë, KQZ-ja propozon që ai të realizohet nëpërmjet pajtimit të një kompanie private për t'i realizuar të gjitha, si me pajisje dhe me shërbim nëpërmjet specialistëve të vet, nën supervizimin e KQZ-së. Gjithashtu, një rrugë tjetër e parashikuar edhe në relacionin shoqërues të këtij projekt-akti, është dhe një kombinim, ku KQZ-ja të blejë pajisjet për t'i pasur pronë të vetën dhe të pajtojë një kompani për shërbimin.
Tenderi
Për të pasur garanci se një projekt i tillë gjigant do të realizohet me sukses, KQZ-ja ka vendosur që afati minimal i nisjes së instalimit të kamerave dhe gjithë rrjetit nëpër të 66 KZAZ-të, të jetë 40 ditë dhe përfundimin e tij, 10 ditë para zgjedhjeve. Për këto arsye, KQZ-ja është vënë përpara një dileme, për shkak të afateve që përcakton ligji për prokurimet publike, për blerjen e këtyre pajisjeve me tender të hapur. Kështu, duke parashikuar që vlefta për blerjen e të gjitha pajisjeve që kërkon realizimi i këtij projekti, do të jetë më e madhe se 1 miliard lekë të vjetra, që është edhe niveli dysheme që përcakton ligji për prokurimin nëpërmjet tenderit, KQZ-ja vlerëson se koha premton për të ndjekur këtë procedurë. Prandaj, ajo do t'i propozojë qeverisë që, për realizimin e këtyre blerjeve, të ndiqet procedura me negocim, pa njoftim paraprak.
Për filmimin do të duhen:
I. Varianti pa sistem monitorimi në KQZ
1 Kamera për tavolinat e numërimit, copë 385
2 Monitorë TV LCD, copë 385, ose projektorë, copë 385, ekrane copë 385
3 Pajisje regjistruese, copë 66
4 Network swich, copë 66
5 Invertitor ups, copë 66
II. Varianti me sistem monitorimi në KQZ, do të duhen edhe:
1 Kamera të mëdha në VNV, copë 66
2 Kompjuterë për VNV-të, copë 66
3 Monitorë TV të ndryshëm në KQZ, copë 10
4 Server për menaxhim në KQZ, copë 2
5 Kompjuterë për menaxhim në KQZ, copë 2
6 Network swich në KQZ, copë 1
7 Invertitor ups në KQZ, copë 2