CNN për ngjarjen në Kandahar: Sulmi pas një sherri

Rrjeti prestigjoz mediatik CNN ka dhënë një tjetër version për ngjarjen e ndodhur në Kandahar të Afganistanit ditën e djeshme, ku mbeti i vrarë kapiteni Feti Vogli dhe u plagos rëndë nëntetari Aleksandër Peci. Në ndryshim nga njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes, CNN shkruan se një person i veshur me uniformë të policisë afgane hapi zjarr mbi ushtarët e koalicionit pas një grindje me tyre.
"Një person i veshur me uniformë të policisë afgane hapi zjarr mbi trupat e NATO-s në Afganistan, duke vrarë një, tha NATO, në atë që duket si i fundmi në një seri sulmesh të forcave të sigurisë afgane, që kthejnë armët kundër trupave ndërkombëtare, me të cilat supozohet se janë aleatë" shkruan CNN.
Sipas rrjetit prestigjoz, i cili i referohet burimeve zyrtare nga Kandahari dhuna erdhi si rezultat i një grindjeje mes policisë afgane dhe ushtarëve të koalicionit, që po shpërndanin dokumente për studentët në atë zonë. Sipas burimeve është arrestuar personi që sulmoi trupat e NATO-s, ndërsa incidenti po hetohet.
Ndërkohë në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes theksohej se gjatë patrullimit në fshatin Robot 2 në Afganistan komandot shqiptarë u sulmuan papritur nga efektivat e policisë lokale, ndërsa theksohej se janë arrestuar edhe 11 policë afganë që hapen zjarr në drejtim të efektivave tonë.
Sipas CNN kohët e fundit sulmet e ushtarëve të NATO-s nga forcat e sigurisë afgane është bërë një trend gjithnjë e në rritje, ndërsa janë bërë 42 sulme mbi forcat e NATO-s. Franca pezulloi operacionet e saj në Afganistan këtë vit pas dy incidenteve të tilla, që lanë gjashtë ushtarë francezë të vdekur.