E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ca fletë nga ditari i Drita Pelinkut



Ajo nuk i kthehet shpesh kujtimeve, sepse i duket vetja tepër e moshuar... Por ama e kishte zakon që mbresat t’i hidhte në letër. E shtynte ditën, kur do të shfletonte faqet e zverdhura të fletoreve, ku shënonte nxitimthi.. Por nuk mund tu shmangej. çasti erdhi.. Nga një jetë e mbushur me emocion, dashuri, dhimbje, lodhje, aktorja e madhe Drita Pelinku na ofron disa pikëza. Janë ca fletë ditari, kujtime nga jeta e saj, ajo vetanakja, larg skenës, pranë bashkëshortit Hysenit dhe vajzave Ora e Jaroshka.

Një shfaqje rumune
“Nuk përshkruhen emocionet e rolit të Zojcikës tek një pjesë e shkruar nga klasiku i madh rumun, Karaxhale ku interpretoja e vetme mes 22 meshkujsh. Njëra nga shfaqjet u ndoq edhe nga personeli i Ambasadës Rumune dhe u vlerësua tepër. Një zonjë diplomatike hoqi një trëndafil nga fustani i saj dhe e vendosi tek fustani im dekolte”
1959

Hyseni nuk është më
“Hyseni ka qenë një njeri i mrekullueshëm. E them me plot gojë, jo nga nostalgjia se nuk ëhstë më, por unë ndoshta nuk e meritoja. Gjatë gjithë jetës ai manifestoi dashurinë bashkëshortore, dashurinë prindërore, ishte zemërgjerë, njeri me vullnet dhe mbi të gjitha ishte një kolonë e rëndësishme ku unë mbështetesha për të bërë punën e vështirë të aktorit, për të thyer tabutë, por edhe për të përballuar vështirësitë e jetës. Vdekja e tim shoqi më 1997 më krijoi boshllëk të madh, sado që rrethohem nga nipër e mbesa. Madje kam edhe dy stërmbesa. Po kjo është jeta”.

Në Pragë për muaj mjalti
“Muajin e mjaltit e kaluam në Pragë, ku do organizohej Festivali i Parë Ndërkombëtar i Rinisë Botërore. Aty merrte pjesë Ansambli i këngëve dhe Valleve me solist Hysen Pelinkun. Kishim dy javë që ishim martuar dhe kërkuam të mos të na ndanin. Ja pra, prania në teatër, i erdhi në ndihmë jetës private dhe familjare. Këto dy jetë sa vështirësonin njëra-tjetrën, po aq i vinin në ndihmë”.

Me studentët
“Studentët gjithmonë i kam dashur. Puna pedagogjike më lehtësoi dhimbjen e largimit nga skena. Vazhdojnë gjithnjë të më vinë në shtëpi apo të më shkruajnë letra. Shumë më marrin në telefon nga jashtë, kudo ku janë. Bëjnë jetë të vështirë. Sidoqoftë ka edhe nga ata që kanë çarë. Jeta është edhe fat”.

Një vals në tavernën e “Dajtit”
“Në mëngjes prova, në mbrëmje shfaqje, pas shfaqjes në studio përsëri prova individuale me rolet e reja. Nuk thoshim kurrë u lodha. Luftonim t’i vidhnim jetës çastin. Jo pak herë shkonim natën, pas shfaqjes në tavernën e hotel “Dajtit”. Nën tingujt e valsit, që na pëlqente aq shumë, dhe në shoqërinë e një gote vere, relaksoheshim”

E quajtëm Jaroshka!
“Në 8 mars, ora 7.20 linda vajzë. Nuk mund ta përshkruaj emocionin që ndjeva, kur dëgjova të qarat e para të saj. Më rrodhën lotët nga sytë dhe instinktivisht ngrita kokën për ta parë. Emrin ia vumë laroshka. Këtë emër e kishim gjetur gjatë udhëtimit për në Pragë. Isha shtatzënë, por nuk e dija. Në Budapest takuam një vajzë të vogël, që e quanin laroshka. Më pëlqeu emri i saj dhe e shënova në bllok. Dhe kështu, emrin e hungarezkës së vogël, ia vumë bebkës sonë, duke i vënë kështu një emër që s’është dëgjuar” E premte, 19.03. 1948

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›