E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranvera, stina e alergjive



Nuk janë vetëm lulet e kumbullës, apo harlisja e gjelbërimit që sinjalizojnë ardhjen e pranverës. I gjithë organizmi është i përfshirë në këtë revolucion stinor. Disa mbushen me optimizëm, të tjerët ndihen në kontrast me gazmimin e stinës. Por ata që e përjetojnë më së shumti janë alergjikët. Lulet, gjethet, dielli, nuk janë vetëm të këndshëm, por edhe problematikë. Rrufë, bllokim hundësh, teshtima të forta, kullim i ujshëm i hundëve, shoqëruar me djegie e kruajtje sysh, skuqje të qepallave, e në disa raste edhe me kollë. Këto janë disa nga simptomat e alergjive të stinës. Alergjitë e rrugëve të poshtme të frymëmarrjes shoqërohen me marrje të frymës, shtrëngime në gjoks dhe frymëmarrje me fishkëllimë, të cilat mund të jenë edhe shenja të astmës bronkiale. Këto shqetësime mund të gjenden të shoqëruara të gjitha bashkë tek një person i vetëm, ose të veçuara. Pacienti në të tilla raste nuk duhet të neglizhojë vizitën tek mjeku. Shkaktarë të këtyre alergjive janë polenet që ndodhen në ajër, të cilat lëshohen nga disa bimë barishtore që i përkasin një familjeje botanike, e cila quhet “Gravine” ose “Gravinase”. Në këtë familje botanike bëjnë pjesë me mijëra lloje, të kultivuara ose spontane. Të kultivuar janë gruri, misri, thekra, ndërsa spontane janë loliumi dhe grami. Dy javë pas lulëzimit të tyre është periudha e poleneve, periudha e alergjisë. Pas lulëzimit, këto bimë e lëshojnë polenin në ajër, i cili qëndron pezull dhe qarkullon me anë të lëvizjes së erës me një shpejtësi të madhe, shumë kilometra larg vendit të prodhimit. Për të evituar përhapjen e alergjisë, çdo person që ka këto shqetësime duhet të paraqitet menjëherë tek mjeku. Mjekimi që jepet në këto raste, është ai kurativ që eliminon shqetësimet në momentin, ose gjatë kohës që ato shfaqen. Mjekimi tjetër është ai profilaktik, i cili ka për qëllim uljen e alergjisë së një personi në organizmin e tij. Për alergjikët nuk kësjillohet evitimi i ekspozimit në ambiente të hapura, kryesisht ditëve të thata, me diell e erë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›