E Diel, 1 Nëntor 2026

Nora Malaj - “Kam fituar mbi frikërat e mija”



ANI JAUPAJ

Njeriu është ajo çka dëshiron të bëhet...sepse sipas Sartrit, lëmi i mundësive të pafundme të zgjedhjes, e bën njeriun të mbajë mbi vete, peshën e rëndë të lirisë së tij, të frikrave të tij! Ndonjëherë, për frikën mjafton vetëm të dëgjojmë të flitet dhe reagojmë vetvetiu. Frymëmarrja sikur pengohet, drithërima të lehta me burim s’dihet se ku nisin e përshkojnë duart, trupin. Qoftë ai më i forti, e ka provuar, më shumë se një herë, këtë ndjesi. Që, në fakt, është fare e natyrshme! Sociolog, psikolog, shkencëtar anë e mbanë botës kanë folur për misterin e gjendjes së frikës. A do munden ata vallë që nëpërmjet studimeve, konkluzioneve, sugjerimeve t’ia evitojnë njeriut këtë emocion, një nga më të fortët!? Sociologia, psikologia, Nora Malaj, kishte vite që punonte për t’u dhënë përgjigje pyetjeve rreth ankthit, fobisë, frikës e gjithë të panjohurave rreth tyre. E gjithë kjo punë, që është realizuar në bashkëpunim me bashkautorin, doktorin e shkencave pedagogjike, Xhevdet Zeka është kurorëzuar vetëm përpara pak ditësh me daljen në treg të librit psikologjik “Të kesh frikë mirë apo keq?”.
Duket sikur të flasësh për frikën duhet të kesh doemos një ngacmim...Në rastin e këtij libri si ka ndodhur, si nisi ideja e puna për të?
Puna për këtë libër ka nisur pak vite më parë. Në punën pedagogjike, në marrëdhëniet me studentët gjatë sezoneve të provimeve, është shumë e lehtë të hasesh me ndjenjën e frikës, kushdo e ka provuar pavarësisht shkallës së sigurisë që mund të ndjejë në vetvete. Për pedagogun është shumë e lehtë që ta shkaktojë a ta stimulojë këtë ndjesi pasigurie, frike. Por çështja është si mund të luftohet!? Vija re shpesh që nëse përpiqeshe ta shtendosje studentin, ta bëje të ndiheshe komod, ankthi zbehej në masë të dukshme. Këto janë situata domethënëse prej së cilave merr nxitje për të ecur më tej, për të bërë kërkime shkencore të mirëfillta e për të arritur në konkluzione më të sakta.
Pse ishte i nevojshëm bashkëpunimi me një tjetër autor? Ishte rastësore zgjedhja e një bashkautori mashkull, apo i nevojitej qëllimit të librit?
Ishte në dobinë e librit sepse pata menduar që të analizosh një ndjesi si frika që i prek të dyja sekset, paçka se femrat, nga natyra më të ndjeshme preken më shumë e më shpesh, analiza duhej të bëhej nga të dyja palët. Të tjera përjetime kisha unë, duke e parë e përjetuar gjendjen e frikës si femër, e ndryshe e sheh atë një mashkull.
çfarë keni synuar të përcillni nëpërmjet këtij libri?
Kush do ta lexoj do përpiqet të gërmojë nëpër rreshtat e librit e të gjej atë që i përket, se çfarë e mundon në jetë. Frika na ngërthen shpesh, në mënyrë të ndërgjegjshme ose jo, gjendemi në situata aspak komode me veten, të panjohura. Shpesh pyesim ‘si do ishte po t’ia nisnim edhe njëherë nga e para!?’. Janë të pafundme pyetjet e dilemat që na mundojnë. Po ajo që na mundon më shumë vetmevete është nëse duhet apo jo ta fshehim frikën që na qaset aq shpesh gjatë vuajtjeve, fatkeqësive, mundimeve apo edhe gëzimeve. Kemi dashur pra të hyjmë në labirintet e mëvetësisë.
Sa kohë në dispozicion ka zëvendësministrja e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencave t’i kushtohet paralelisht një pune të gjatë kërkimore?
Profesioni im është shumë i rëndësishëm, jam përpjekur t’i shkoj cilësisht deri në fund këtij libri edhe për këtë shkak, nuk dua të humbas apo qoftë edhe të zbeh marrëdhëniet me profesionin. Pavarësisht shkallëve të karrierës, ajo që mbetet deri në fund e që do t’i rikthehesh në çdo kohë është profesioni.
Frika mund të kapërcehet, dhe këtë jua them unë, një frikace e regjur...kjo është pohuar prej jush në libër. çfarë raportesh keni ju vetë me frikën?
Në situata të caktuara më ndodh që të provoj frikë por jo të tillë që të më gllabërojë të gjithën. Frika është emocion, ajo vepron aty ku mungon logjika apo informacioni i duhur lidhur me çështjen që na frikëson.
Që provoni frikë vetëm në situata të caktuar është pasojë e punës që keni bërë me veten apo kështu ka qenë gjithmonë?
Jo nuk ka qenë gjithnjë kështu, kam punuar padyshim me veten. Më duhej të bëja këtë përpara se të analizoja frikërat e të tjerëve.
I keni mundur të gjitha?
Jo, ka një gjë që nuk kam arritur ta përmirësoj, apo qoftë edhe ta zbeh. është frika ndaj maceve, një lloj fobie me të cilën nuk kam arritur rezultate të prekshme.
Nga se shkaktohet frika, cili është burimi fillestar i saj?
është e vështirë të thuhet se sa lloje frikërash ka, ama shkaku i shfaqjes së saj është mungesa e besimit, të dyshuarit në forcat e brendshme, paralizimi i mundësive për të zgjuar forcat mbrojtëse e për t’i hedhur në veprim.
Sa të ndërgjegjësuar janë njerëzit për të shkuar te mjeku neurolog? A është në favor të frikës ngërçi për ta pranuar këtë ndihmë?
Njerëzit e shikojnë si paradoksale faktin e të shkuarit te specialisti, duke e konsideruar atë si vendin ku shkojnë vetëm jo normalët. Kjo gjë e pengon shumicën e njerëzve që ta kurojnë veten ndaj fobive të ndryshme prej të cilave janë të prekur. Në këtë mënyrë njeriu mbetet gjithnjë skllav i frikërave të veta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›