E Diel, 1 Nëntor 2026

Çahet argjinatura e Semanit, përmbyten banesa dhe toka bujqësore në Fier, evakuohen pesë familje

TIRANË, 13 janar/ATSh – Maela Marini/ Prefekti i qarkut Fier, Anduel Xhindi bëri të ditur sot  se si pasojë e daljes së lumit Seman nga shtrati ka prezencë të lartë uji në rreth 25 banesa dhe disa stane me bagëti të imta, si dhe është bërë evakuimi i pesë familjeve në fshatin Ndërnënas, të njësisë administrative Libofshë

Në një prononcim për ATSH-në, prefekti Xhindi informoi se nga çarja e argjinaturës së lumit Seman në fshatin Alibejas, janë përmbytur tokat bujqësore deri në fshatin Hasturkas dhe Ndërnënas.

Prefekti theksoi se nga situata e krijuar nuk ka dëme në jetë njerëzore, por janë evakuuar pesë familje.

“Në Hasturkas ka prezencë të lartë uji në rreth 20-25 banesa dhe disa stane me bagëti të imta. Është bërë evakuimi i 5 familjeve në fshatin Ndërnënas të cilët janë vendosur te familjarë të tjerë. Po ashtu është bërë evakuimi i bagëtisë në shumicën e staneve”, u shpreh Xhindi.

Problematike, sipas tij, “është fakti i izolimit nga uji të një stani me rreth 200 krerë dele”.

“Trupat e Forcave të Armatosura po shikojnë mundësinë e nxjerrjes edhe të bagëtive të izoluara. Në terren po operojnë 25 trupa të FA-së me dy mjete të kalueshmërisë së lartë dhe dy motobarka për evakuim njerëzish. Po ashtu në zonë po veprojnë 10 efektivë të MZSH-së Fier dhe 25 efektivë të Policisë së Shtetit”, bëri të ditur Xhindi.

Sipas tij, akset nacionale dhe rurale janë të kalueshme normalisht dhe furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm është në normalitet.

Ndërsa hidrovoret janë në gjendje pune dhe në gatishmëri të plotë.

/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›