E Diel, 1 Nëntor 2026

Cameron: Britania, jashtë eurozonës sa kohë unë të jem kryeministër

Kryeministri britanik, David Cameron justifikon para parlamentit veton e tij në Bruksel. “Ne nuk e kemi nxjerrë Britaninë nga BE. Do të vazhdojmë të punojmë për shëndetin e euros, pasi jemi të gjithë në të njëjtën barkë”

I gjendur mes sulmeve të opozitës pas vendosjes së vetos në Bruksel, kryeministri britanik, David Cameron u justifikua se vendimi i tij ishte në favor të interesave kombëtare. Në një fjalim të mbajtur dje në parlament, Cameron tha se u përpoq deri në fund për arritjen e një marrëveshjeje për zgjidhjen e krizës së borxheve në Europë, por u detyrua të vendoste veton. Kryeministri argumentoi se kërkesat e tij për disa modifikime të planin franko-gjerman u bënë në “mirëbesim”, ndërsa i cilësoi pretendimet e tij si “modeste, të arsyeshme dhe të rëndësishme”. “Sa të jem kryeministër, nuk do jemi pjesë e eurozonës. Ne kërkojmë mbrojtje e siguri për financat tona”, - tha Cameron gjatë fjalës së tij në parlament. Cameron shpjegoi përpara anëtarëve të tjerë të kabinetit dhe deputetëve se vendosi veton kundër, pasi sipas tij, plani i ri për shpëtimin e euros nuk parashikon masa të mjaftueshme për të rregulluar çështjet financiare. “Londra do të vazhdojë të punojë për të forcuar shëndetin e përbashkët të Europës dhe euros, pasi në këtë luftë kundër borxheve jemi të gjithë në të njëjtën barkë”, - tha ai. Pas nxjerrjes së Britanisë nga marrëveshja për ndryshime në traktatin themelues të BE-së, Cameron është vendosur nën kritika të ashpra nga lideri i liberalëve në opozitë, Nick Clegg, si dhe nga liderë të tjerë europianë, me në krye Presidentin e Francës, Nicolas Sarkozy, që ka përdorur tonet më të ashpra. Cameron u tregua i kujdesshëm që t’u kërkonte përfaqësuesve të qeverisë që të interpretojnë veton e tij ashtu siç është. “Ne nuk kemi nxjerrë Britaninë nga Bashkimi Europian. Përkundrazi. Londra do të vazhdojë të punojë për të forcuar shëndetin e përbashkët të Europës dhe euros, pasi në këtë luftë kundër borxheve jemi të gjithë në të njëjtën barkë”, - theksoi Cameron.

Anglia do të angazhohet në “bashkëpunim konstruktiv” me vendet e tjera të BE-së, lajmëroi Kryeministria nga selia në "Downing Street", përpara se David Cameron të shpjegonte veton e tij kundër traktatit të BE-së në Parlament. Në samitin thelbësor për të ardhmen e euros, mbajtur gjatë javës së shkuar, Cameron zgjodhi të mos përkrahte planin franko-gjerman, duke votuar kundër tij. Si rrjedhojë, Sarkozy-Merkel duket se do të miratojnë një plan që do të përfshijë të gjitha vendet e tjera të BE-së, pasi edhe Hungaria, Suedia e Çekia, vendet më skeptike, kanë hequr dorë nga qëndrimi i tyre kundër marrëveshjes. Vendimi i kryeministrit Cameron, ndonëse ka gjetur përkrahje në shumicën e anglezëve, sipas sondazheve të kryera nga shtypi, është shoqëruar me kritika të forta nga ana e opozitës, e cila akuzon për “izolocianizëm” dhe për lënien e Britanisë të vetme në përballimin e krizës financiare. I përballuar me kritikat e shumta, “Downing Street” lëshoi një deklaratë gjatë së hënës, në të cilën shpjegonte se mosmiratimi i ndryshimeve të Traktatit të Lisbonës për Europën nuk do të thotë se “bashkëpunimi i ngushtë dhe i gjithanshëm me vendet e Europës do të pakësohet. Ne jemi po aq të angazhuar sa të gjitha shtetet e tjera në zgjidhjen e krizës së eurozonës, çka do të ishte në të mirë të të gjithëve”, - thuhej në deklaratën zyrtare.

Sarkozy: Tashmë ekzistojnë dy Europa

Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy deklaroi se tashmë ekzistojnë dy Europa të ndryshme. Qëndrimi vjen pas samitit të javës së shkuar, në të cilin Britania e Madhe vendosi veton kundër ndryshimeve të traktatit themeltar të BE-së. Sipas Sarkozisë, ai dhe kancelarja Angela Merkel bënë gjithçka që kishin në dorë për të bindur Londrën që të firmoste marrëveshjen, e cila shihet si bazë për zgjidhjen e krizës ekonomike. Presidenti i Francës, duke folur për “Le Monde”, e cilësoi samitin si vendin ku lindi një Europë e përçarë. Në intervistën e tij për të përditshmen më të madhe franceze, Sarkozy ndër të tjera shtoi se “tashmë ekzistojnë dy Europa. Njëra prej tyre dëshiron të shikojë më shumë solidaritet midis anëtarëve të ndryshëm, ndërsa tjetra është e lidhur pas logjikës së tejkaluar të tregut të vetëm”. Sipas tij, strategjia franko-gjermane për zgjidhjen e krizës është bazuar në "pragmatizëm dhe inteligjencë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›