Miliarderi rus sfidon Putinin: Do kandidoj për President
Manjati i çelikut shpall kandidaturën për president të Rusisë në zgjedhjet e marsit. “Kam marrë vendimin më të vështirë të jetës sime. Do të kandidoj për President”
Një miliarder rus, Mikhail Prokhorov ka sfiduar presidentin Vladimir Putin, duke shpallur kandidaturën e tij në zgjedhjet presidenciale të marsit. Prokhorov e cilësoi vendimin si më të rëndësishmin dhe më të vështirin në jetën e tij. Deklarata vjen në kohën që Rusia është e përfshirë në protestat më të mëdha që prej shembjes së Bashkimit Sovjetik, pas parregullsive që shoqëruan zgjedhjet parlamentare të zhvilluara në fundjavë. Sipas rezultatit zyrtar, të vënë në dyshim nga vëzhguesit ndërkombëtarë dhe aktivistët demokratikë, partia “Rusia e Bashkuar” e Putinit dhe Medvedevit fitoi me vështirësi një shumicë minimale. ”Kam marrë vendimin më të vështirë të jetës sime. Do të konkurroj për president”, - deklaroi Prokhorov gjatë një konference për shtyp. Ai shtoi se nuk ka ndërmend ta ndërtojë fushatën e tij me kritikat për Putinin. “Kritikat nuk do të zënë më shumë se 10% të fushatës sime, pasi pjesa tjetër do t’u përkasë gjërave që unë dua të realizoj”, - tha miliarderi. Më parë gjatë vitit, manjati i përpunimit të çelikut e hekurit dhe pronari i klubit amerikan të basketbollit, Nju Xhersi Nets, u vendos për një periudhë të shkurtër në krye të një partie që sfidoi “Rusinë e Bashkuar”. Megjithatë, ai dha dorëheqjen pas pak kohe nga partia “Çështja e Duhur”, duke fajësuar Kremlinin për përçarjen që ndodhi brenda grupimit. Sipas Prokhorovit, ishte analisti dhe strategu i shquar i Kremlinit, Vladislav Surkov, ai që shkaktoi përçarjen e partisë. “Kam gjetur një mënyrë më efikase për t’u shmangur nga politikat e pista të Surkovit. Do të bëhem shefi i tij”, - theksoi miliarderi. Revista e specializuar “Forbes” ka renditur Prokhorovin si njeriun e tretë më të pasur në Rusi dhe një prej 20 njerëzve më të pasur në botë, me një pasuri totale që shkon në 18 miliardë dollarë.