E Shtunë, 31 Tetor 2026

Retro/Press: Pengimi i madh: Fanatizmi

Anton Harapi

Pengimi i madh për jetën shoqnore, pra, për qetësinë e vëllaznimit tonë asht fanatizmi, i cili asht nji turp për personin, turp për besimin të cilit i përket personi nji turp për jetën shqiptare. Besimi qi mbahet për pasion, pra me fanatizëm, nuk asht besim i arsyeshëm, as faktor i jetës; ai nuk nalton por poshtnon, e ma tepër rrënon se sa trajton. Besimi në nji Zot të vërtetë, Ati i të gjithe njerëzve, nuk do ta shtojë antagonizmin, por do ta pakësojë; besimi do ta zbusë njerinë ndër ndjesi e jo ta egërsojë, do t’i rregullojë prirjet e instinktit, ndër të cilat asht dhe egoizmi qi don të justifikohet me shkakun e besimit. Këtu asht nevoja ta dalloj njeriun fanatik nga njeriu me karakter: të dy ngulin kambë për nji bindje të vetën, të dy tregojnë fuqinë e vullndesës deri në kulm,... por me këtë ndryshim, se njeriu me karakter ngul kambë për nji parim t’arsyeshëm, ndërsa fana-tiku don t’i rrijë asaj së vetës arsye e pa arsye; njeriu me karakter tregon nji zotësi morale, ndërsa fanatiku dishmon nji dobësi personale, pse ai, edhe po ta shohë të paarsyeshme atë të vetën, nuk asht i zoti ta mundë pasionin e egoizmin; brutalisht mund të jetë i fonë, por njerëzisht asht i ligësht; karakteri moral ka caqet e arsyes, fanatizmi nuk ka cak, ai të verbon, të shtyn deri në ves e n’egërsi. Fanatizmi asht antinjerzor, prandej edhe antifetar e antishoqnor. Pra, për të rrojtë vllaznisht, nuk asht nevoja të hjekim besimin, por kusht i parë asht të hjekim fanatizmin në besim. Shqiptari mund të zbutet tue marrë kulturen vërtet njerëzore, kulturën e shpirtit, d.m.th. nuk mjafton të ketë sjelljen e mirë, paraqitjen e njerzishme, format e përshtatshme, mënyrët e hijshme, e ne shpirt të rrijë i egër, por duhet të jetë edhe përnjimend në vete ashtu si mbahet e duket përjashta, atëherë ka me u ba i zoti të rrojë në harmoni me vëllaznit e vet shqip-tarë të çdo kondicioni shoqnor edhe të çdo besimi. Ngjitas me kulturën njerzore, shqiptari do të marrë kulturën fetare. Kaloi koha qi ta mbajmë besimin pse na e kanë lanë të parët, pse ashtu e kemi gjetë, pse besojnë të tjerët, ase për nji çdo tjetër arsye të jashtme; sod duhet të dijmë shka besojmë dhe pse të besojmë; lypet ta justifikojmë, në mos para vetes, besimin tonë. Por nuk mjafton kaq: besimin nuk do ta mbajmë as për etiketë, as për nji gja vetëm teorike; besimi duhet të jetë faktor i jetës; parimet e besimit duhet të përftojnë në bindje të plotë, ndiesi të gjalla, lëvizje, shprehje, fjalë e punë, drejtues në nji sistem jete. Kjo don me thanë kulturë fe-tare.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›