E Diel, 1 Nëntor 2026

Cameron i thotë po referendumit për pavarësimin e Skocisë

Kryeministri britanik, David Cameron i dha dritën e gjelbër kërkesës së partisë separatiste skoceze për mbajtjen e një referendumi për pavarësi, në vjeshtën e vitit 2014.

Cameron u takua me Ministrin e Parë skocez, Alex Salmond në Edinburg, me të cilin firmosi një marrëveshje që lejon mbajtjen e referendumit. Në paktin e nënshkruar nga dy palët, parashikohet që në referendum të përfshihen vetëm dy alternativat “Po” ose “Jo”, që do t’i përgjigjen pyetjes nëse votuesit janë dakord me shkëputjen nga Britania e Madhe.

Gjithashtu, marrëveshja lejon votimin e personave që kanë mbushur 16 vjeç ditën e mbajtjes së referendumit.

Referendumi pritet të zhvillohet në vjeshtën e vitit 2014 dhe ishte një nga premtimet elektorale të kreut të partisë separatiste skoceze, SNP Alex Salmond.

Në një deklaratë për BBC, pas nënshkrimit të marrëveshjes, Cameron tha se kishte marrë vendimin më të mirë për skocezët dhe për gjithë Mbretërinë e Bashkuar.

“Skocezët votuan për një parti që kërkonte referendum dhe unë plotësova kërkesën e tyre. Është e ligjshme dhe e ndershme që ata të vendosin, por unë mendoj se një Skoci në Mbretërinë e Bashkuar është më mirë, po ashtu edhe Mbretëria e Bashkuar me Skocinë është më e fortë”, tha Cameron.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›