Cameron pro referendumit

Një referendum për marrëdhëniet e Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Europian është marrë në konsiderate nga kryeministri britanik, David Cameron. "Sunday Telegraph", në një artikull të sajën bën me dije se kërkon një zgjidhje të vërtetë për votuesit, por një referendum i menjëhershëm nuk është ajo që dëshiron shumica e tyre. Debati për të ardhmen e Britanisë së Madhe në BE, e marrëdhëniet e Londrës me Brukselin ka kohë që vazhdon në këtë vend, por së fundmi, ka kapur pikën e vlimit, pasi rreth 100 deputetë konservatorë kanë apeluar për një votim të tillë në sezonin e ardhshëm parlamentar.
Me anë të një letre drejtuar Kryeministrit, ata kërkojnë që ai të ligjërojë angazhimin e mëparshëm për të thirrur referendim në lidhje me marrëdhëniet e Britanisë me Brukselin. Sipas korrespondentes politike te BBC-së, Carol Ëoker, Cameron është duke hapur derën për një referendum të mundshëm. Ai ka pohuar nevojën për të siguruar pozicionin e Britanisë së Madhe brenda një Bashkimi Europian në evoluim, por ka shtuar se për një gjë të tillë duhet durim. Nga ana tjetër, "Sunday Telegraph" thotë se Kryeministri do të vendoset në një presion edhe më të madh për këtë çështje nga ish-sekretari i tij i Mbrojtjes, javën e ardhshme. Liam Fox pritet të mbajë një fjalim, ku do të nënvizojë se nëse Britania e Madhe nuk mund të marrë mbrapsht pushtetin e dhënë Brukselit, atëherë ajo duhet të marrë në konsideratë largimin nga Bashkimi Europian.