Pajtohen për tranzicion në Siri

Fuqitë botërore dhe fqinjët e Sirisë janë pajtuar për orarin e tranzicionit politik për ta përfunduar gjakderdhjen 16 mujore në këtë vend, por është lënë e hapur çështja e pjesëmarrjes apo mospjesëmarrjes së presidentit aktual, Bashar al-Assad, në këtë proces.
Pas takimit ndërkombëtar që përfundoi në Gjenevë të Zvicrës, i dërguari i OKB-së dhe Ligës Arabe për Sirinë, Kofi Annan, tha se nuk beson se sirianët do t’i zgjedhin individët me “gjak në duart e tyre”.
Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, tha se ditët e Assadit “janë të numëruara”.
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha se u takon sirianëve e jo Kombeve të Bashkuara, që të vendosin se kush do ta qeverisë Sirinë.
Ministri i jashtëm kinez, Jang Jiechi, ka bërë thirrje që të gjitha palët ta ndalin dhunën “pa vënien e çfarëdo kushti”.