E Shtunë, 31 Tetor 2026

Campbell ka ilaç për Torresin

Fernando Torres vazhdon të jetë ‘enigmë’ te Chelsea. Sulmuesi duket larg formës së tij ideale dhe gjendet në krizë të golave. Por, ka shpresë edhe për të. Ish kampioni olimpik i Britanisë, Darren Campbell thotë se ka ilaç për spanjollin. Ai beson se brenda vetëm dy javësh pune me Torresin do të përmirësonte formën fizike të futbollistit dhe rikthente shpejtësinë e vrapimit, por edhe vetëbesimin e tij.

Pas sezonit të shkuar të cilin e përshkroi si “ankth”, sulmuesi i Chelseat, Fernando Torres nuk po arrin të shfaqë paraqitje të mira edhe në edicionin e ri. Ai nuk duket në formën e tij më të mirë fizike dhe si rezultat vazhdon të jetë në ‘agjërim të golave’.

Por, një lajm i mirë për telashet e tij vjen nga ish kampioni olimpik i Britanisë, Darren Campbell. Ai beson se mund të shërbejë ndihmën e nevojshme për spanjollin në mënyrë që ai të rikthejë vrapimin e tij të shpejtë.

Campbell, i cili punoi me Torresin në përfundim të sezonit 2010-11, insistoi se sulmuesit i nevojitet një periudhë e ‘këndelljes’ për të rikthyer shpejtësinë dhe vetëbesimin.

“Është diçka që më së miri është të bëhet para fillimit të sezonit, por Fernando ka nevojë vetëm për dy javë punë rreth vrapimit, por në kohën kur nuk duhet të mendojë për të luajtur të shtunën”, deklaroi Campbell për Daily Telegraph.

“Vetëm duhet t’i krijohet një program i mirë dyjavor dhe mendoj se kjo do të rikthente një pjesë të madhe të shpejtësisë së tij të vrapimit, që kishte në të kaluarën. Jam i sigurt se mund ta këndell”, shtoi Campbell i cili fitoi medaljen e artë në stafetë në Lojërat Olimpike 2004 në Athinë, kurse tani punon si trajner i vrapimit në futboll dhe ragbi.

“Nuk ka nevojë të jetë proces i gjatë sepse këta djelmosha janë në formë jashtëzakonisht të mirë fizike. Ju nuk duhet të brengoseni për bazën e formës fizike, por vetëm duhet të mësoni të kontrolloni shpejtësinë tuaj”, theksoi ai.

Menaxheri i përkohshëm i Chelseat, Rafael Benitez, i cili bleu Torresin në Liverpool më 2007, pranoi se sulmuesi ka nevojë të punojë në palestër për të rikthyer formën që pati dikur me ekipin nga Anfield Road.

Torres ka vuajtur nga kriza e vetëbesimit prej kur u transferua në Chelsea për 50 milionë funte dy vite më parë. Ai ka shënuar vetëm 11 gola në Premierligë. Kurse Campbell sugjeroi se Torres duhet të punojë rreth fizikut të tij për të rikthyer fuqinë e nevojshme.

“Në rastin e Fernandos, mendoj se ai ndoshta duhet të punojë pak me pesha si dhe të vrapojë në mënyrë që të forcojë muskujt e tij”. Bashkëpunimi i kaluar mes Campbellit dhe Torresit u ndërpre pas shkarkimit të ish menaxherit Andre Villas-Boas.

“Kam bërë vetëm dy ose tri seanca me Fernandon dhe mund të vëreja se vetëbesimi i tij po rikthehej. Problemi më i madh është se kur humbni shpejtësinë tuaj nuk jeni në gjendje të bëni atë që keni bërë dikur. Andaj, duhet të punoni gjithnjë e më tepër, por kjo është fitimprurëse. Nëse dëshironi të jeni të shpejtë, kërkohet edhe një element i relaksimit. Duhet të merrni shembullin e Gareth Bale. Ai vrapon shumë shpejt, por e bën këtë i tëri i relaksuar dhe nuk ka tension brenda tij”, përfundoi Campbell.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›