E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kampion në dallavere

Kategoria Superiore e Shqipërisë është kampion në kurdisjen e ndeshjeve në Evropë. Këtë e vërteton analiza e bërë nga kompania “Sportradar”, lider botëror i monitorimit të kuotave të basteve. Shqipëria kryeson renditjen botërore për sinjalizim të ndeshjeve të shitura, duke kapur kuotën e 97 takimeve në total, 27 më shumë se Italia që renditet e dyta.

Kampionati i Shqipërisë, respektivisht Kategoria Superiore, edhe pse nuk është aq cilësor me kampionatet e shteteve tjera evropiane, ka arritur të renditet i pari, por fatkeqësisht për të keq.

Futbolli shqiptar është më i korruptuari në Evropë. Ky është përfundimi i dalë pas një analize të rezervuar të kompanisë “Sportradar”, lider botëror i monitorimit të kuotave të basteve dhe fluksit të parave të luajtura në futboll.

Sipas asaj që raportohet në mediat botërore, Kategoria Superiore e Shqipërisë kryeson renditjen botërore për sinjalizim të ndeshjeve të shitura, duke kapur kuotën e 97 takimeve në total.

Hetimi është shtrirë në më shumë se 400 kompani bastesh ndërkombëtare dhe është zbuluar nga agjencia e specializuar e kurdisjeve të ndeshjeve “Agipronews”.

Periudha e hetimit përfshin një kohëzgjatje prej dy vjet e gjysmë, gjatë së cilës në Shqipëri dyshohen se janë kurdisur plot 97 ndeshje, 27 më shumë sesa kampionati italian, që qëndron në vendin e dytë në renditjen botërore me 70 ndeshje.

Në vendin e tretë qëndron kampionati moldav, ndërsa në dhjetëshen e parë bëjnë pjesë dhe liga greke, ajo ruse, maqedonase dhe bullgare. Në total “Sportradar” ka hetuar 143.472 ndeshje në 596 kampionate të ndryshme, prej të cilave 798 ose 0.56 për qind e sfidave rezultojnë të manipuluara.

Ndërkohë që nga numri total i ndeshjeve të kurdisura, Shqipëria zë vendin e parë me 8.22 për qind të takimeve në total në të gjithë botën.

Në anën tjetër edhe kreu i FSHF-së, Armand Duka, ka deklaruar para disa ditësh në emisionin “Sport debat” në “Ora News” se në futbollin shqiptar ka pasur dhe ka kurdisje të ndeshjeve.

“Po, mendoj se ka pasur trukime dhe tolerime më parë dhe mendoj se ka edhe tani. Duhet të kemi parasysh se nuk mund të dënohet dikush apo një subjekt pa pasur fakte dhe kjo është shumë e vështirë”, ka pohuar presidenti i FSHFsë.

Por, nëse në vende fqinje si Greqia, Italia apo Bullgaria hetimet kanë nisur prej kohësh në Shqipëri, nuk është ndërmarrë as hapi më i vogël për hetimin e sfidave të Kategorisë Superiore, pavarësisht se në jo pak raste UEFA ka sinjalizuar Federatën për ndeshje të dyshimta.

Vetë Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka ngritur komisionin e etikës pranë zyrave të saj, por pavarësisht vullnetit, ky organ ka rezultuar jo efikas në luftën ndaj këtij fenomeni. Ndërkohë që dhe prokuroria pavarësisht se ka marrë disa dosje nga FSHF, deri në këto momente nuk ka nisur asnjë hetim zyrtar.

Në anën tjetër edhe Superliga e Kosovës në futboll nuk qëndron më mirë se kampionatet e shteteve fqinje. Që nga paslufta ka pasur akuza për kurdisje të ndeshjeve, por Federata e Futbollit e Kosovës dhe prokuroria e vendit asnjëherë nuk ka ndërmarrë masa.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›