Tifozët presin largimin e Mourinhos

42.6% e 20 mijë fansave që votuan në faqen madrilene "Marca.com", ishin të sigurt se strategu portugez do të largohet drejt një klubi të Premier League këtë verë, ndërkohë që 31.3% besonin se "Special One" do të vazhdonte punën me skuadrën madrilene të paktën deri në fund të sezonit.
13.9% besojnë se 49-vjeçari nuk do të arrijë as ta përfundojë këtë sezon, duke u shkarkuar. Ndërsa 10% e votuesve janë të bindur se ai do të zgjidhte milionat e PSG-së në aventurën e radhës. Mourinho është nën presion të madh pas rezultateve jo edhe aq të mira të Realit deri më tani gjatë këtij stinori.
Gjiganti madrilen është kualifikuar për në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve, por vetëm si i dyti në Grupin D prapa Borussia Dortmundit. Kurse, pas 13 xhirosh në La Liga gjendet plot 11 pikë prapa liderit, Barcelonës.
Të shtunën, Reali zhvillon derbin e qytetit kundër Atletico Madridit, duel që spekulohet se mund të luajë rol të rëndësishëm për të ardhmen e Mourinhos në Santiago Bernabeu.