Cana, 10 mijë euro për të përmbyturit

Kapiteni i Sandërlendit ka bërë thirrje për të ndihmuar familjet në veri të Shqipërisë, për të kapërcyer këtë situatë të vështirë
Ylli i Kombëtares shqiptare solidarizohet me banorët e territoreve të prekura nga fatkeqësia
Impenjimet e shumta me Sandërlendin në Premiershipin anglez nuk e kanë ndaluar Lorik Canën që t’u gjendet afër familjeve të përmbytura në veri të Shqipërisë. Kapiteni i “maceve të zeza” ka dhuruar 10 mijë euro, të cilat do t’i shtohen fondit të emergjencës për situatën e krijuar në ultësirën e Nënshkodrës. Prurjet e mëdha në kaskadën e Drinit, të cilat kanë detyruar autoritetet që të hapin portat e shkarkimit nga liqenet e hidrocentralit, kanë përmbytur mbi 11 mijë hektarë tokë dhe mbi 2 mijë shtëpi. Lajmi është bërë i ditur nga vetëm lojtari, i cili ka treguar edhe një herë solidaritetin me ngjarjet madhore që prekin kombin shqiptar. “Po e ndjek me shqetësim të madh situatën në veri të vendit, ku për shkak të reshjeve dhe prurjeve të lumenjve është përmbytur një sipërfaqe e madhe toke. Duke i ndjerë pasojat që po lë kjo fatkeqësi, dhuroj shifrën 10 mijë euro në shenjë solidarizimi me banorët e këtyre zonave, të cilët po kalojnë një moment shumë delikat”, bëri të ditur mesfushori 26-vjeçar i Kombëtares shqiptare. “Këto parà janë të destinuara që të ndihmojnë familjet e këtyre territoreve të përmbytura”.
Pasi ka konfirmuar shumën që do të dhurojë në këtë emergjencë humanitare, Cana u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve, por edhe bizneseve, që të shfaqen aktivë në situatën e krijuar. “Me këtë rast inkurajoj të gjitha përpjekjet e shtetit shqiptar, individëve, organizatave të ndryshme dhe vendeve mike, të cilët po bëjnë të pamundurën për t’iu gjendur sa më afër popullatës së këtyre zonave të prekura nga kjo fatkeqësi. Gjithashtu, dëshiroj të shfrytëzoj rastin që t’u bëj thirrje të gjithë atyre bizneseve apo individëve që kanë sado pak mundësi të japin ndihmën e tyre apo t’u gjenden më pranë familjeve të përmbytura në çfarëdo forme. Të gjithë duhet t’i ndihmojmë bashkatdhetarët tanë që ta kapërcejnë këtë situatë”, theksoi më tej lojtari.
Kjo nuk është hera e parë që Lorik Cana shfaqet aktiv në jetën sociale në Shqipëri apo Kosovë. Vetëm dy muaj më parë, ylli kuqezi dhuroi ndihma ushqimore për 500 familje të varfra kosovare, në mënyrë që ato ta kalonin në kushte sa më normale festën e Bajramit. Mielli dha pakot ushqimore iu dorëzuan Kryqit të Kuq të Gjakovës, që më pas i shpërndau te familjet më nevojtare. Në të kaluarën mesfushori ka dhënë ndihma edhe për të varfrit në Shqipëri, apo edhe për fëmijët jetimë. Cana, një prej lojtarëve më të spikatur me origjinë shqiptare, është gjithashtu edhe ambasador i UNICEF-it, përkrah emrave të mëdhenj të futbollit ndërkombëtar si Zidan, Ronaldinjo, Kaka, ish-kapiteni i Milanit, Paolo Maldini e shumë të tjerë.
#