Socialistët: Këshilli bashkiak nuk mblidhet pa e vendosur gjykata
Reagimi
Kryetari i Bashkisë Patos dhe kreu i këshillit bashkiak mohojnë akuzat
Akuzat e lëshuara nga prefekti Bujar Hasaj, kreu i Bashkisë së Patosit, Bardhi Meli, dhe ai i këshillit bashkiak, Maksim Goga, i kanë cilësuar si presion politik që ushtrohet mbi ta, ndërsa kanë shtuar se ditën e enjte nuk do të zhvillohet asnjë mbledhje e këshillit bashkiak. Maksim Goga ka thënë për “Shqip”: “Prefekti, me mbledhjen që ka thirrur, e ka shkelur me të dyja këmbët ligjin. Rikujtoj se pa një vendim gjykate, as prefekti dhe askush tjetër nuk e mbledh dot këshillin. Në datën 14 janar, të enjten, është një nga seancat e radhës e procesit gjyqësor që ka nisur për problemin e Këshillit Bashkiak Patos. Pa një vendim gjykate nuk mund të ketë mbledhje”. Ndërkohë që kryetari i bashkisë, Bardhi Meli, i ka kujtuar prefektit se institucioni që ai drejton nuk është një mjet bujqësor. “Nuk është kryer asnjë shpërdorim detyre nga ana ime. Ne në thesar nuk jemi penguar asnjëherë, me gjithë përpjekjet e bëra nga prefekti dhe partia ku ai bën pjesë. Po ashtu, lidhur me auditin që unë nuk kam pranuar, gjithçka i është dërguar atij në rrugë institucionale. Në Bashkinë e Patosit ekziston sektori i auditit të brendshëm dhe ky sektor i heq të drejtën prefektit për të nisur auditin e prefekturës. Organi i vetëm që ligjërisht mund të ushtrojë kontroll mbi Bashkinë e Patosit është KLSH-ja. Për këtë problem bashkia dhe prefektura kanë shkëmbyer edhe përgjigjet e ndërsjella zyrtare”, ka sqaruar Meli. Gjithashtu, Meli ka thënë se paga për sekretarin e këshillit bashkiak, Balil Balili, është hequr nga shefja e burimeve njerëzore, e cila ka verifikuar edhe mungesat e bëra nga Balili në punë. “Balil Balili ka shkelur Kodin e Punës dhe për këtë ai jo vetëm që nuk do të paguhet, por do të humbasë edhe postin e sekretarit të këshillit, pasi ndaj tij është depozituar padi në gjykatë”, ka sqaruar kryetari i Bashkisë së Patosit.
#