Cana: Bosnja e “uritur”, një barazim do ishte mirë
TIRANE- Fitorja 3-0 e Rumanisë përballë Bosnjes i ka habitur futbollistët e kombëtares shqiptare, megjithatë një rezultat i tillë e bën edhe më të vështirë takimin e së martës në Zenica. Kuqezinjtë do të përballen ndaj boshnjakëve në takimin e gjashtë në këto eliminatore, duke synuar që të marrin vendin e dytë në grup, në rast fitoreje ose barazimi. “Të them të drejtën nuk e prisja që Rumania të fitonte kaq lehtë, megjithëse para ndeshjes isha i bindur se ajo do të fitonte, - tha Lorik Cana. – Dihej që rumunët do të luanin fort, sepse për ta ishte shansi i fundit. Por, kjo tregoi edhe njëherë sesa i fortë është grupi ynë, ku përveç Luksemburgut, tashmë të gjithë janë pretendentë”. Lorik Cana thotë se Shqipëria duhet të jetë shumë e vëmendshme në Bosnje, pasi kjo skuadër tashmë është e uritur për pikë dhe ka futbollistë të një niveli botëror. “Ata mbeten ende favoritë për të zënë vendin e dytë në grup, sepse kanë futbollistë që luajnë me skuadra të mëdha. Përveç Francës, të gjithë ekipet e tjerë janë aty-aty, kështu që them se edhe ne mund të kemi shansin për të marrë diçka në Zenica. Duke parë momentin sesi luhet kjo ndeshje, një barazim do të ishte rezultat i mirë”, u shpreh më tej mesfushori i përfaqësueses shqiptare, që pranoi se nuk është në formën e tij më të mirë. Ndërkohë, duke parë dëmtimin e Salihit, Kuzhe pritet t’i varë shpresat e tij te sulmuesi Erjon Bogdani, autor i 8 golave këtë sezon me Çezenën. “Unë jam gati që të jap maksimumin tim në fushë. Kuptohet që është një ndeshje e vështirë për ne, por jam i bindur se mund të marrim diçka nga kjo sfidë”, deklaroi Bogdani. Shqipëria do të udhëtojë të hënën drejt Bosnjes, ndërsa të martën në orën 20.15 do të luhet ndeshja.
(m.a/NEWS24/BalkanWeb)
(m.a/NEWS24/BalkanWeb)