E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, sindikatat protestë kundër marrëveshjes me FMN

ATHINË- Disa qindra grekë zbritën në rrugët e Athinës sot pas thirrjes së sindikatave për të protestuar kundër masave të tjera të ashpra që kërkohen nga marrëveshja e arritur mes qeverisë greke dhe kreditorëve të zonës euro dhe FMN-së.

Dy sindikatat kryesore të vendit, "Gsee" e sektorit privat dhe "Adedy" e atij publik, bënë thirrje për manifestime për t'i rezistuar barbarisë sociale, pas njoftimit të sakrificave të reja që duhet të bëjë popullsia për të shëndoshur financat publike të vendit i zhytur në borxhe dhe për rimëkëmbjen e ekonomisë.

"Ne jemi kundër qeverisë dhe marrëveshjes me BE-në, FMN-në për këto masa barbare dhe antisociale", deklaroi për AFP-në Gregoris Kalominis, i "Adedy", ndërsa një sindikalist i "Gsee", Nektarios Darzakis vlerësonte se duhet rritur presioni për largimin e qeverisë dhe anulimin e marrëveshjes.

"Ne kërkojmë një politikë ekonomike të ndryshme me masa zhvillimi dhe masa sociale që të ruajmë vendet e punës dhe të rrisim të drejtat tona sociale dhe ekonomike", bëhet e ditur në një deklaratë të përbashkët të dy sindikatave.

Greqisë iu premtua dje një tjetër ndihmë financiare nga kredidhënësit për të shmangur falimentimin dhe daljen e saj nga Unioni Monetar, ndihmë shtesë pas asaj të arritur një vit më parë kundrejt forcimit të tutelës buxhetore të vendit. Një grevë e përgjithshme është njoftuar për më 15 qershor.
(m.a/afp/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›