Polici mashtrues, dosja mbërrin në gjykatë
TIRANE- Hiqej si njeri i rëndësishëm në Policinë e Shtetit dhe në këtë mënyrë mashtronte qytetarët, duke u premtuar atyre se mund të ndikonte në Drejtorinë Arsimoire në Tiranë për t’i punësuar si arsimtarë. Për të përfituar sa më shumë para, këtë mënyrë kishte zgjedhur 40-vjeçari Bekim Alla, nga Librazhdi. Ai prezantohej si shef i Krimeve të Rënda apo shef i Krimit Ekonomiko-Financiar, duke përdorur identitet të rremë dhe, pasi i mashtronte njerëzit se do t’i punësonte, merrte shumat e majme të parave dhe më pas zhdukej pa lënë gjurmë. Fakti që ‘mashtruesi’ prezantohej me funksione të rëndësishme në strukturat e policisë, natyrisht që nuk mund të kalonte pa pasur vëmendjen e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Nga hetimet e policisë dhe SHKB-së ka rezultuar se Bekim Alla, duke u prezantuar me identitet të rremë, gjoja sikur kishte poste të rëndësishme si drejtor i Krimeve të Rënda, më 8 shtator 2010, në Tiranë i ka marrë shtetases me inicialet J.K. shumën prej 2.300 eurosh, pasi e ka mashtruar se do ta punësonte si arsimtare pranë Drejtorisë Arsimore Tiranë. Burime nga policia thanë se janë duke hetuar rreth rasteve të tjera të mashtrimit që mund të ketë realizuar Alla. Kjo pasi policia disponon të dhëna se i ndaluari ka mashtruar disa qytetarë të tjerë në kohë e vende të ndryshme. Ndaj Bekim Allës është ngritur akuza e ‘mashtrimit’ dhe pritet që të mbërrijë në gjykatë për t’u njohur me masën e sigurisë.
(s.g/GSH/BalkanWeb)
(s.g/GSH/BalkanWeb)