Cana: Dua të rri sa më gjatë në Turqi
Galatasaraj ka mjaft tifozë në Kosovë dhe ndan një histori të përbashkët me vendin tonë, pasi u krijua nga një shqiptar, Ali Samijen djali i shkrimtarit të shquar Sami Frashëri. Ka qenë një dëshirë për një kohë të gjatë që të luaja me ta dhe e gjeta këtë mundësi pak më parë sesa e prisja, por nëse ky klub më jep mundësitë e nevojshme, do të rri me vite.
Lorik Cana mund të argumentohet se është futbollisti më i dashur i shqiptarëve. I lindur në Prishtinë, djali i një futbollisti të famshëm kosovar, Agim Canës, ai kaloi shumicën e fëmijërisë së tij duke menduar dhe ëndërruar për futbollin. Ai nuk e dinte se do të bëhej një nga futbollistët më të mirë shqiptarë në nivelin ndërkombëtar, zëvendës/kapiten i ekipit kombëtar të Shqipërisë dhe një lojtar me kërkesë të lartë nga klubet europianë. Cana, 27 vjeç, ka luajtur për disa klube të mirënjohur, përfshirë Paris SG dhe Marsejë në Francë, ku ai shërbeu si kapiten më 2007, kur ishte vetëm 23 vjeç. Ai ka luajtur gjithashtu për Sanderland të Anglisë përpara sesa të bashkohej me klubin turk Galatasaraj në korrik 2010 si një mesfushor-mbrojtës. Shatë vjet më parë, ai kishte pranuar një ftesë nga Federata Shqiptare e Futbollit për t'u bashkuar me ekipin kombëtar. Zgjedhja ishte e natyrshme për Canën, mënyra më e mirë, thotë ai, për të shprehur lidhjet me atdheun e tij dhe patriotizmin që ai thotë se gjithkush duhet të ketë. I drejtë dhe modest, ai është i interesuar në arkeologji, etimologji, histori, kërcimet me kalë dhe garat e makinave. Ai kryeson një numër bamirësish si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë dhe tani shërben si ambasador i UNICEF-it në Shqipëri. Në intervistën e tij dhënë për SETtimes.com, Cana tregon:
Si e shihni veten me këtë karrierë të rëndësishme në futboll? A është ndikuar ajo nga karriera e babait tuaj?
Natyrisht pasioni im për futbollin i ka rrënjët në familjen time, sepse im atë kishte një karrierë 15 vjeçare si një lojtar profesionist futbolli në Kosovë dhe ishte i mirënjohur në kohët e ish-Jugosllavisë, kur futbolli ishte tepër cilësor. Mund të them se im atë më ka ndikuar mjaft. Jam rritur në botën e futbollit, si një djalë nga Ballkani ku të gjithë djemtë kanë pasion të posatçëm për futbollin. Qëkur familja ime u largua nga Kosova, i kam patur të gjitha kushtet të përmbushur për t'u bërë një lojtar futbolli, edhe pse nuk besoja se do të bëhesha një lojtar profesionist futbolli. Kam punuar shumë në këtë drejtim dhe kam patur mbështetjen e fortë të babait tim. Kështu që kisha gjithshka për të arritur këtë qëllim.
Ju keni lindur në Prishtinë, por keni kaluar kohë gjithashtu në Shqipëri, duke ardhur që të luani për ekipin kombëtar ose për arsye të tjera. A mund të shpjegoni marrëdhëniet tuaja me këto dy vende?
Ngaqë nuk kishim një ekip kombëtar në Kosovë, ishte krejtësisht normale që të ëndërroje si fëmijë rreth ekipit kombëtar shqiptar. Mendoj se ishte krejt e natyrshme dhe kishte një patriotizëm gjithashtu. Tani kam mjaft lidhje me Shqipërinë që nga 2002-shi kur mbërrita së pari këtu. Kam miqtë e mi më të mirë në Shqipëri. Ndërkohë, në Kosovë, kam ende mjaft nga anëtarët e familjes. Të afërmit e mij jetojnë në Gjakovë, por prapë miqtë e mij më të mirë dhe më të ngushtë janë këtu në Tiranë.
Si e shihni përfshirjen tuaj me ekipin kombëtar shqiptar?
Jam përpjekur të ndërtoj karrierën time si një futbollist me një angazhim të fortë për veprim dhe rezultate. Dhe përpiqem të jem një shembull dhe të hap rrugën për mjaft futbollistë të tjerë që do të vinë pas meje. Jam i bindur se ka dhe do të ketë mjaft lojtarë të tjerë shqiptarë në të ardhmen që do të jenë të suksesshëm ndërkombëtarisht dhe madje do të jenë më të mirë se unë. Jam vërtet i gëzuar që të jem një nga të parët që ka patur sukses në arenën ndërkombëtare. por do të dëshiroja të shihja më shumë lojtarë të rinj shqiptarë që jetojnë jashtë që të zgjedhin ekipin kombëtar shqiptar.
Çfarë duhet të ndryshojë në ekipin kombëtar shqiptar?
Ne shqiptarët kemi patur kurdoherë talentë të shquar ... por natyrisht kushtet për lojtarët e rinj në Shqipëri janë ende të vështirë. Ajo që mendoj se duhet të ndryshojë është gjetja e futbollistëve të rinj që jetojnë jashtë dhe kemi nisur tashmë të kërkojmë këtë. Këta lojtarë të rinj kanë të gjithë kushtet e nevojshëm për sukses. Në vende si Zvicra apo Gjermania, ka mjaft lojtarë të rinj shqiptarë dhe jam një shembull i mirë i kësaj, pasi fillova dhe arrita disa nga nivelet e mij më të mirë në Zvicër dhe Francë. Kjo duhet të ndryshohet padyshim. Federata Shqiptare e Futbollit ka ndërmarrë tashmë këtë nismë të gjetjes së elementëve të rinj. Mendoj se jemi disa vjet vonë, por gjithsesi është shumë pozitive që kemi nisur. E mbështes këtë nismë dhe u bëj thirrje të gjithë lojtarëve të rinj shqiptarë që të zgjedhin të luajnë gjithashtu për ekipin tonë kombëtar. Shumë herë fakti që ata zgjedhin një shtetësi tjetër bëhet një pengesë e madhe.
A e shihni të ardhmen tuaj në Turqi?
Në fakt, duke zgjedhur këtë klub kam përmbushur një dëshirë. Galatasaraj ka mjaft tifozë në Kosovë dhe ndan një histori të përbashkët me vendin tonë, pasi u krijua nga një shqiptar, Ali Samijen djali i shkrimtarit të shquar Sami Frashëri. Ka qenë një dëshirë për një kohë të gjatë që të luaja me ta dhe e gjeta këtë mundësi pak më parë sesa e prisja, por nëse ky klub më jep mundësitë e nevojshme, do të rri me vite.
Ka mjaft klube të famshëm ndërkombëtarë nga Anglia, Franca etj., që do t'ju bëjnë oferta. Cila do të ishte arsyeja vendimtare për të lëvizur?
Në fakt do të dëshiroj që të rri për një kohë të gjatë në Gallatasaraj. Shkova në Turqi për mundësinë për të luajtur për ligat europiane dhe nëse kjo nuk ndodh dhe nuk jam në gjendje të përmbush qëllimet e mia, do t'a rivlerësoj pozitën time. Këtë vit kemi patur disa probleme, por nëse gjithshka shkon mirë, do të vazhdoj të qëndroj atje.
Keni krijuar një imazh shumë interesant publik, duke marrë pjesë në disa nisma bamirësie. Jeni emëruar gjithashtu ambasador i UNICEF-it në Shqipëri. Ç'mund të na thoni lidhur me këto përvoja?
Është diçka shumë normale, kur je një figurë publike, veçanërisht në sporte, pasi sporti mund të veprojë në një kuptim si një ambasador i jashtëzakonshëm i një vendi. Nuk më kërkon shumë kohë që të angazhohem me këto veprimtari dhe e gjej shumë të rëndësishme dhe të nevojshme.
Jeni gjithashtu një nga figurat publike më të preferuara të Shqipërisë, veçanërisht midis vajzave. A ndikon fama juaj në konfidencialitetin tuaj?
Përgjithësisht unë i përmbaj hollësitë e jetës sime personale, por mendoj se nëse ka diçka të rëndësishme në jetën time që njerëzit duhet t'a dinë, nuk kam problem t'ua them atë atyre. Po të jem në marrëdhënie me dikë, apo të vendos të martohem, diçka me të vërtetë e rëndësishme në jetën time, do t'ia them atë publikut. Por deri tani nuk ka patur ndonjë hollësi të rëndësishëm për të njoftuar. Eshtë aq e thjeshtë.
Loriku: Nuk ndërrohet kombësia
Mesfushori shqiptar, Lorik Cana, i shquar për dashurinë e tij ndaj kombit shqiptar, nuk ka nguruar ta shprehë përsëri atë pas ndeshjes ndaj Bjellorusisë të zhvilluar në stadiumin kombëtar Qemal Stafa. Pas fitores historike me rezultat minimal 1-0 ndaj Shqipërisë, Lorik Cana si luan i vërtetë që është, vrapoi me mikrofon në dorë dhe me tatuazhin e shqiponjës të zbuluar në krah drejt tribunës qëndrore të tifozëve në stadiumin Qemal Stafa, duke u thënë atyre: “Hej, u thoni të gjithëve se nuk ndërrohet kombësia”. Për më shumë do t’iu lëmë ta shikoni videon 58 sekondëshe të shkëputur nga televizioni francez TF1, por duhet të përmendet patjetër se mesazhi i Canës u drejtohet drejtuesve të futbollit kosovar se ai ashtu si futbollistët tjerë shqiptarë nuk do të luajnë për përfaqësuesen e Kosovës, pasi ashtu si për Shqipërinë, edhe për Kosovën ekziston vetëm një përfaqësuese, ajo kuqezi. Pak para fillimit të ndeshjes në fjalë, Lorik Cana nënshkroi peticionin kundër regjistrimit të popullsisë pas kërkesës së vorio-epirotëve në Shqipërinë e Jugut.