Procesi i Shtrigave të Salemit
Salem... Salem i shtrigave, i djajve, Salem mit i kohërave, i brezave që Arthur Miller na la në fondin e artë të kryeveprave botërore, për ta ndjekur me kërshëri edhe sot, duke na servirur para syve ndjesi plot nënkuptime në dukje të fshehura pushtetesh e pisllëqesh deri në neveri. Për të parë e shpërfaqur përballje me shpirtrat tanë që sa janë të pushtuar nga intriga dhe pandershmëria, nga urrejtja dhe drejtësia, makutëria apo pse jo edhe nga tradhtia apo dashuria. Salemi me shtrigat dhe djajtë e tij vjen te ne natyrshëm e shpërthen në Teatrin Kombëtar si një kujtesë jo vetëm për Millerin, tashmë nder i dramaturgjisë botërore, por vjen edhe si një buqetë e bukur aktorësh të mrekullueshëm zgjedhur me gusto e profesionalizëm nga regjisori i talentuar i mirënjohuri Spiro Duni. Nuk do të ndalesha për të analizuar dialog pas dialogu dramën për të sjellë në vëmendjen tuaj rrjedhën logjike të saj si një ecuri e harmonizuar bukur me muzikën dhe me skenografinë apo kostumografinë. Do të doja të ndalesha vetëm tek një pjesë e aktorëve të cilët sot përbëjnë elitën e korifejve të skenës sonë kombëtare, por edhe tek të rinj sfidantë, ku me aftësitë e tyre interpretative harmonizohen bukur në komportim me ta. Me një përsosmëri nga roli në rol, i mbushur me plot energji dhe i pa përballueshëm në endjet regjisoriale në sheshin e veprimit skenik, shpërfaqet me dialogët e personazhit të tij Timo Flloko, ky aktor Div tashmë edhe në rolin e Xhon Proktorit, protagonistit të pjesës ‘Shtrigat e Salemit’. I veshur me petkun e këtij personazhi Flloko na sjell bindshëm me një interpretim virtuoz gjithë çka autori dhe regjisori Duni ka vënë në linjën e dinamikën e rolit prej fillimit e deri në finale të pjesës. Një Timo, Xhon Proktor që të mbush me emocion që herë pas here shpërthen në pika kulmore të interpretimit dhe gjithmonë të mbërthen me logjikën e forcës së fjalës, vështrimit apo qoftë edhe heshtjes së tij. Si me magji, forca e aftësisë aktoreske që shpërfaq Timo Flloko eklipsoi edhe kësaj here publikun, që natyrshëm i dhuroi duartrokitje të pa ndalura. Po pse duartrokitje të forta dhe të shumta? Po, është një e vërtetë e pamohueshme dhe e duhur për t’u vënë në dukje se rreth Fllokos sillen edhe emra të tjerë aktorësh me rolet e tyre sa të realizuara po aq edhe virtuozë, që në bashkësi interpretimi na dhuruan një shije të mrekullueshme aktrimi. Shtrigat e Salemit sollën para syve vërtet një Timo Flloko të madh, por dhe një zbulim të bindshëm me një të ardhme të shkëlqyer, ku me interpretimin e saj elegant dhe të brishtë mbeti në kujtesën e spektatorit edhe Elia Zaharia në rolin e Abigeil Williamsit, ku dashuria për Xhon Proktorin e ka bërë të “verbër” me frikën se mos ai e le si të dashur. Ajo vjen e beftë dhe me plot sens si një e re e talentuar ku roli i dha simpatinë e publikut për shkallën e besueshmërisë në interpretimin e tij. Apo aktorja tjetër Flaura Kureta në rolin e Titubas, një rol pikant e i qëndisur bukur me një mjeshtri aktrimi e me një plastikë të shkëlqyer. Eni Jani, një aktore tashmë e formuar në rolin e Meri Uorenit vjen furishëm me një kurbë që në varjimin e performancës së saj na zbulon një talent mbresëlënës.
I përmenda këto aktore të reja jo se në karrierën e tyre të gjatë skenike s’do kenë role të tjera ndoshta edhe më të plota e pse jo edhe më të arrira edhe nga eksperienca e fituar, por se mjeshtërisht regjisori Duni në këtë pjesë u ka gjetur dhe i ka vendosur me kujdes një veshje personazhi brenda tipit dhe aftësive të tyre, që ato të sjellin natyrshëm të besueshmen dhe bindshëm të jenë realizuese dinjitoze përkrah këtij ansambli aktorësh të përzgjedhur.
E për të ecur më tej natyrisht dhe për ta bërë më të plotë këtë ndjesi, do të shikojmë se në arritjen e këtij suksesi do të shfaqet me elegancën e saj me një finesë feminiliteti një nga yjet e tjera të kinematografisë dhe skenës sonë kombëtare, Eva Alikaj në rolin e Elisabet Proktor, bashkëshortes se Xhon Proktorit. Sa i plotë, krenar dhe burrëror shpërfaqet Flloko në rolin e Xhonit si bashkëshort, po kaq hijshëm i rri në krah dhe mjeshtërisht i dhuron komportim të përsosur Eva Elisabet, bashkëshortja e tij një grua e devotshme e krishtere, që di t’i shfaqë të shoqit dashurinë dhe dhimbjen me gjakftohtësinë e një gruaje të tradhtuar, duke e ditur se do ta humbasë përgjithmonë atë. Gjatë gjithë skenave të përbashkëta, te Flloko dhe Alikaj ne ndiejmë një çift aktrimi superior, me mbartje emocionale që pa dyshim e bëjnë publikun të rrokë gjithë hapësirën me skrupulozitetin më të madh, për të parë sesi vështrohen, sesi përqafohen, sesi u flasin sytë, sesi u flet goja e trupit, sesi shqiptojnë dialogun, e sesi ata krijojnë situata të tilla interpretimi me personazhe të tjerë shoqërues të veprimit dramatik, sa, pse jo, arrijnë pika kulmore të shkëlqyera e të larta mjeshtërisht. Kështu hap pas hapi na shfaqet si një pjesë e këtij ansambli aktori Naun Shundi në rolin mjaft simpatik dhe të realizuar në mënyrë të shkëlqyer të Gill Korit. Shkopi i mbajtur në dorën e tij herë pas herë godet fort tokën si për të thënë se është pjellë e saj, se fjalët që ai shpreh janë me taban dhe jo të dyzuara. Situatat që krijohen me personazhin e tij sjellin te spektatori përcjelljen e një interpretimi virtuoz . I saktë në dialog, ai di të sjellë bukur mendimin logjik me një artikulim të përsosur të fjalës, duke krijuar kështu një rol të dashur për publikun.
Një sukses tjetër i regjisorit Duni dhe e shfaqjes në tërësinë e vet ishte edhe përzgjedhja e aktorit të mrekullueshëm, jo vetëm të humorit, Mehdi Malkajt. Në rolin e tij të Shiverit, Malkaj na përcjell ashtu natyrshëm një nëpunës ku herë-herë tregohet i ashpër, por herë-herë edhe i butë e i ndjeshëm, njerëzor. Zgjidhja e rolit në atë mënyrë jo vetëm që e bën Shiverin për të ardhur keq, por në skenat e tij ai përcjell qartë mesazhin nëpërmjet zbërthimit të rolit në atë mënyrë sa ai del në pah dhe qëndron bukur në lartësinë e interpretimit. Përzgjedhja e aktorëve nuk do të mund të ishte e plotë për suksesin tashmë të merituar pa interpretimin edhe të aktorëve të tjerë që jo rastësisht i lashë për më poshtë Do të duhej edhe kjo shfaqe e ‘Shtrigave të Salemit’ për të shpënë më tej arritje të reja interpretimi në karrierën e tyre artistike. Ne pamë një Fatos Sela në rolin e gjykatësit Danforth të organizuar mjeshtërisht, ku me forcën e interpretimit rrëmbeu admirimin e të gjithëve për shijen e keqe mjaft të arrirë profesionalisht. I mbushur me ndjesi të përçudnuara, roli i tij foli qartë dhe bindshëm për misionin që pati. Gjykatësi Danfort pati njëtrajtshmërinë e fytyrës së ftohtë akull gjatë gjithë trajektores së zhvillimit dramaturgjik. Fatos Sela pruri një arritje edhe më të suksesshme, duke plotësuar kështu më së miri misionin e rolit të tij në tërësinë e personazheve interpretues. Padyshim që edhe ky rol e ngre në lartësinë e korifejve të teatrit tonë kombëtar. Shumëllojshmëria e personazheve të Millerit në ‘Shtrigat e Salemit’ sigurisht që solli edhe larmi interpretimesh të tjera të shkëlqyera. Ato të japin mundësinë që edhe pse s’mund të jenë role jo të para, të akcentohen bukur dhe të jenë mbresëlënës. Kështu është edhe roli i priftit Heill, sjellë me një ngjyrim ndryshe nga ç’jemi mësuar për të parë priftërinj në skenën tonë, interpretuar nga i talentuari aktori Vasian Lami. Qetësia e ndërthurur me një lëvizje trupore e gjestikulacionesh e bërë për vete nga vrojtime të kujdesshme veshën te Vasiani një prift të veçantë, ku tipizimi i besueshëm, qoftë me fjalë qoftë me shprehje të mimikës, solli sukses edhe të këtij roli në morinë e roleve të tjerë të tij të arrirë. Qysh në fillim të shfaqjes nuk ka se si të mos të të bjerë në sy për një karakter të veçantë roli i zotit Patnom, interpretuar edhe ky me mjeshtri nga i mirënjohuri Sokol Angjeli. E veçanta e sjelljes së tij si rol qëndron në faktin se si babai i shumë fëmijëve, por i mbetur me një, pasi shtatë i kanë vdekur, hutueshëm sillet në skenë, duke përcjellë keqardhje në shprehjen e një mimike të kapur bukur për të na dhënë të kuptojmë sesa mjeran ka mbetur. Një karakter domethënës e mjaft i qartë, i mbushur me shpirt, që falë aftësive tejet profesionale të tij në aktrim e bie personazhin e zotit Patnom të lexueshëm e të qartë me një plastikë të zhdërvjellët para syve tanë. Ashtu sikundër do të përmendja për mjaft besueshmëri në interpretimin e tij Neritan Liçajn në rolin e Peris. Në dukje si një njeri sanguin, personazhi i tij ndihet dinamik qysh nga fillimi e deri në fund. Dhe vijmë te një rol i vogël, por tejet domethënës, te roli i Rebeka Ners, interpretuar me mjeshtri aktrimi nga e madhja Drita Pelingu. Dhe pse në moshë të thyer, në sytë e Pelingut në skenë duket qartë forca e fjalës e mbushur me jetë. Ajo sjell një figurë me fund tragjik, e cila mbetet e dashur si personazh.
Për suksesin e shkëlqyer edhe të kësaj pjese së fundmi në teatrin tonë kombëtar do të më duhej të ndalesha edhe te personazhe të tjerë plotësues për të treguar se lartësia e interpretimit këtu nga shfaqja në shfaqe vjen duke u rritur. Por personazhe të tillë të lartpërmendur padyshim që ngrenë edhe më lart vlerat artistike të teatrit tonë. Interpretimi i tyre të lë mbresa të pashlyeshme me shpirtin që u dhurojnë personazheve. Ata lartësojnë personazhe duke lartësuar veten. Kjo është edhe fati i tyre. E padyshim këtë arritje solli edhe regjisori Spiro Duni, me zgjedhjen e dramës ‘Shtrigat e Salemit’. Ai diti të përcjellë te spektatori një Arthur Miller dinjitoz, mesazhet e të cilit mbeten aktuale e përcillen bukur edhe nga aktorët tanë të mëdhenj.