Cana-Marseja, edhe një vit bashkë

Albania Sport Agency- Lorik Cana do të luajë edhe sezonin e ardhshëm me Olimpikun e Marsejës. Ndërkombëtari shqiptar, vetëm 23-vjec, i zgjedhur nga tifozët si "Lojtari më i mirë" i tyre, është shndërruar në lojtarët thelbësorë të Olimpikut të Marsejës dhe për të interesohen disa nga klubet më të mëdha europiane (të pasura), ku më i dukshmi është Arsenali në Angli, por nga pista e merkatos nuk përjashtohen dhe ato italiane.
Lorik Cana ishte një nga lojtarët kryesorë në ndeshjen e fituar me Soshonë (4-2, një gol i Canës) dhe konsiderohet nga gazeta franceze "La Provance" si futbollisti që mund të "ngrohë" ekipin, falë karakteristikave dalluese (energji e pashtershme) të shqiptarit dhe mentalitetit fitues që ai përcjell në ekip. Zëvendëskapiteni zyrtar i Marsejës dhe kapiteni në ndeshjet e fundit në mungesë të Bejesë (të dëmtuar) dëshmoi më së mirë se mund të udhëheqë skuadrën drejt rezultateve pozitive. Djaloshi nga Prishtina dallohet dhe në progresin teknik ku ndërhyrjet janë tani më të pastërta, një provë e plotë kjo e afirmimit si një futbollist i madh.
Në këtë kontekst, statusi i tij i kapitenit, në mungesë të Habib Beje, në ndeshjet kundër Lorient dhe Lilës, i kanë dhënë një dimension të ri dhe aspak të huaj për Canën.

Lorik Cana pas shenimit te golit me Soshone 4-2
Brenda grupit olimpikas, Cana ka forcuar influencën e tij që dëshmon faktin se mund të marrë përsipër përgjegjësi të mëdha. Shiriti i kapitenit mund të konsiderohet një mision për të.
Njeri bazë i sistemit të Olimpikut, i pajisur me aftësinë për t'i dhënë një volum të madh lojës, Cana është natyrshëm në shënjestrën e shumë klubeve me afrimin e merkatos. Sipas rrethit të ngushtë të lojtarit, Cana ka tashmë të detajuar një plan që përjashton largimin në përfundim të këtij sezoni, edhe pse mund të kërkohet me ngulm.
Siti francez football.fr shton se lojtari shqiptar i ardhur nga Paris Sën Zhermeni në vitin 2005, do të hyjë së shpejti në bisedime me drejtuesit e klubit për rinegocimin ose jo të kontratës aktuale, por qëndrimi edhe për një sezon shihet si një alternativë e mundshme. Gazeta franceze "La Provence" bën fjalë për një përtëritje të kontratës së shqiptarit përtej vitit 2009, kohë kur skadon ajo aktuale.