Cana: Mezi pres të riluaj në “Stade de France”
Loriku prek edhe problematikën e shiritit të kapitenit, duke zbuluar se për të është një nder që të jetë lider i kombëtares dhe se nuk ka pasur debat për këtë gjë
Aty ka lindur si futbollist, te të rinjtë e PSG-së, për t’u transferuar më pas te Marseja ku u bë idhull dhe kapiten. Megjithatë, 3 vjet më parë Cana kaloi La Manshin për te Sandërlendi ku qëndroi vetëm një sezon dhe pas 364 ditësh vendosi të kalojë gati një kontinent për të shkuar pranë Bosforit, te Gallatasaraji. Por atë e ka marrë malli për Francën. “Sigurisht që më ka marrë. Mendoj se çdo ndeshje me ekipin kombëtar, ka shijen e vet. Mendoj se pas të gjithë atyre viteve që kam luajtur aty, në një vend ku jam rritur si futbollist e si njeri, natyrisht që është e veçantë për mua. Në një vend (stadium) ku kam luajtur katër finale të Kupës së Francës. Aty kam familjen time, kam shumë miq atje. Do të jetë një ndeshje e bukur, e veçantë, që do të mundohemi ta fitojmë, pastaj edhe të shijojmë momentin, pasi raste të tilla nuk vijnë shumë për një futbollist,” thotë Cana që më pas shton në lidhje me përgjegjësitë e tij në përfaqësuesen kuqezi, sidomos pas debatit të krijuar për shiritin e kapitenit. “Unë mendoj se ju keni përgjegjësi gjithashtu që të mos prishni imazhin e kombëtares, apo që të publikohen gjëra që nuk janë të vërteta. Dihet se si është problemi i shiritit. Altini është kapiten, Skela zëvendëskapiten. Unë kam folur me lojtarët. Për të folur për përçarje, nuk ia vlen të flasësh se është humbje kohe. Shiriti është diçka simbolike. Natyrisht që unë do ta mbaj edhe për shumë kohë atë, pasi është nder të jesh kapiten i kombëtares.” Më pas ai bën dhe bilancin e mungesave të Francës dhe të Shqipërisë. “Kemi mungesa të rëndësishme. Bëhet fjalë për lojtarë të rëndësishëm që mungojnë në një ndeshje të rëndësishme. Nuk kemi luksin që t’i zëvendësojmë. Franca? Franca ka shumë lojtarë, mund të ketë 50 lojtarë shumë të mirë, të nivelit botëror. Sigurisht që si Riberi nuk ka një të dytë, por ka shumë lojtarë të nivelit të lartë,” krahason ai.