E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuzhe: Franca s’vendos të ardhmen time

Trajneri kroat beson te një përfaqësim dinjitoz, duke qenë se nuk do të ketë presion për rezultatin mbi lojtarët

Kësaj radhe e di se nuk ka asgjë se çfarë të humbasë. Qoftë në rezultatin e sfidës kundër Francës, qoftë edhe në aspektin kontraktual me FSHF-në, Josip Kuzhe shkon në Paris me mendjen e mbledhur. Aty e di se e pret një “Stade de France” i elektrizuar që do të kërkojë vetëm fitoren për ekipin e Blank. Kuzhe shpreson që kjo atmosferë të vlejë edhe për skuadrën e tij që të motivohet siç duhet. Natyrisht, të kërkosh fitoren do të ishte një budallallëk me brirë, ndaj ai kërkon një ndeshje nga ato që mbahen mend për nivelin e lojës së shpalosur.

Mungojnë Riberi, Sanja dhe Benzema, pa llogaritur Abidal që është në dyshim…

Jam i lumtur që nuk luajnë Riberi dhe Benzema. Jam i lumtur, por jo i qetë, pasi ata kanë lojtarë të shkëlqyer. Unë kam parë 10 ndeshje të Francës dhe ata kanë aktivizuar 25 lojtarë. Të më pyesësh se cilin nuk do të doja që të luante, nuk do të jepja një përgjigje të saktë. Nëse shohim dy ndeshjet e fundit të, kundër Rumanisë ata kishin 5 lojtarë të tjerë në formacion, ndryshe nga ne. Për ata, Bosnja është ndeshja më e rëndësishme, ndaj edhe aty do të përqendrohen. Nëse ata do të zgjidhin për të aktivizuar Riberin ose Benzeman, nëse do të kishin mundësi ta bënin, do ta bënin kundër Bosnjes, jo kundër nesh.

A prisni reagim nga skuadra pas humbjes me Luksemburgun?

Pres reagim pas humbjes me Luksemburgun. Gjatë këtyre ditëve kemi bërë përgatitje psikologjike. Për ne e rëndësishme është ky reagim që të bëjmë diçka më shumë, më të mirë. Por përgatitja psikologjike ka të bëjë shumë me motivimin dhe me besimin. Motivimi është ai i duhuri, pasi është një ndeshje që nuk e luan shpesh në karrierë. Besimi nuk ka të bëjë vetëm me përballimin e kësaj ndeshjeje, por për të shkuar për të luajtur si të barabartë.

Të ka kërkuar Xhemal Mustedanagiç ndonjë favor për të ndalur Francën?

Shumë gazetarë më marrin nga Bosnja dhe më kërkojnë në mund të bëj diçka për ta. Unë u them se nuk është se mendoj shumë për ta. Unë mendoj për Shqipërinë. Simpati kam për ata sepse janë pjesë e futbollit të ish-Jugosllavisë. Më shumë simpati kam për ta sesa për Francën.

Presion nuk ka, kështu që duhet të jetë më e lehtë…

Besoj se është kështu. Mendoj se gjithçka rreth Francës është e veçantë. Është një ndeshje e madhe, një stadium i madh, stadium i mirë, atmosferë e mirë, lojtarë të mëdhenj. Sigurisht që ka emocione, por këto emocione duhet t’i shërbejnë motivimit.

Sa ndikon për të ardhmen tuaj kjo ndeshje?

Çdo ndeshje influencon për të ardhmen time. Jo vetëm në aspektin profesional, por edhe atë emocional. Pas disa vitesh kur të kujtosh ndeshjet e mira apo të këqija që mund të kesh bërë si trajner, do të kesh lënë vend diku. Por nëse tani më thoni nëse bëjmë ndeshje për të ardhmen time, atëherë jo. Mendoj vetëm për të bërë një ndeshje të mirë si pjesë e detyrës së tanishme, jo për të ardhmen.

Në ndeshjen e parë ata ishin të kompletuar në sulm, ndërsa ata në mbrojtje. Tani është paksa e kundërta…

Edhe njëherë është e vështirë të analizosh një kundërshtar që ka mungesa. Përgjithësisht ata janë shumë të mirë. Për ndeshjen kundër nesh në Paris, nëse nuk luan Riberi, ata humbasin një individ shumë të mirë në sulm dhe kjo mund të na lejojë që të mbrohemi më mirë. Por në mbrojtje nëse thua që mungon Sanja, nuk është një humbje e madhe pasi ata nuk e kanë pasur Abidalin ose e kanë spostuar atë në qendër me Kabulin.

“Objektivi? Rritja e emrit të Shqipërisë”

Me dy ndeshje të mbetura, por edhe me shkarkim të mundshëm të tij pas këtyre 180 minutave, Kuzhe nuk hezitoi të përgjigjej se çfarë kërkonte të arrinte në krye të kuqezinjve. “Edhe një trajner mendon në mënyrë ireale ndonjëherë. Unë nuk mund t’ju them se ëndërroja që të kualifikohesha për në europian, por ëndërroja që të arrija rezultate të mëdha që të vlenin për të ardhmen. Në shoqërinë e futbollit do të doja që të flisnin më shumë për Shqipërinë. Kjo sepse sjellja ndaj Shqipërinë nuk është korrekte. Shikoni gjyqtarët sesi na trajtojnë. Nuk na respektojnë si vendet e tjera. Megjithatë, ne kemi ndryshuar gjithçka, sepse e kemi lëvizur disi Shqipërinë në atë renditjen e FIFA-s, por edhe në publicitet. Unë jetoj në Kroaci dhe eci mes njerëzve, dhe ata flasin për Shqipërinë. Kjo më bën të lumtur, por do të isha akoma më i lumtur nëse gjithandej do të flisnin kështu”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›