Pret reagim ndaj Francës

Trajneri Josip Kuze e ka të qartë idenë dhe formacionin se si do t’i kundërvihet Francës të premten në Stade de France, në kuadër të ndeshjes së parafundit të eliminatoreve për ‘Euro 2012’.
Kroati pritet të luajë me formacionin 4-5-1. Në portë Samir Ujkani, në mbrojtje; Armend Dallku, Lorik Cana, Andi Lila e Krisiti Vangjeli, në mesfushë Klodian Duro, Ervin Bulku, Jahmir Hyka, Odise Roshi dhe Gjergji Muzaka (ose Gilman Lika), derisa i vetëm në sulm do të jetë Hamdi Salihi.
Trajneri kroat në konferencën për media, para nisjes për në Francë, ka treguar se pret reagimin e futbollistëve pas humbjes turpëruese nga Luksemburgu (2:1) në ndeshjen e fundit.
“Pres reagim pas humbjes me Luksemburgun. Gjatë këtyre ditëve kemi bërë përgatitje psikologjike. Për ne është i rëndësishëm ky reagim që të bëjmë diçka më shumë, më të mirë. Por, përgatitja psikologjike ka të bëjë shumë me motivimin dhe me besimin. Motivimi është ai i duhuri pasi është një ndeshje që nuk e luan shpesh në karrierë. Besimi nuk ka të bëjë vetëm me përballimin e kësaj ndeshjeje, por për të shkuar për të luajtur si të barabartë”, ka thënë 58 vjeçari i cili është i gëzuar për mungesën e Riberys dhe Benzemas.
Kuze, i cili është afër përfundimit të kontratës me Federatën Shqiptare të Futbollit, e mohon se rezultati nga ndeshja e së premtes do të ndikojë në vazhdimin apo jo të kontratës me kuqezinjtë.
Në anën tjetër, Kuze ka bërë të ditur se gjatë këtyre ditëve ka marrë shumë telefonata nga gazetarët boshnjakë, të cilët e kanë pyetur nëse mund të bëjë diçka për përfaqësuesen e Bosnjës, e cila është në garë me Francën për vendin e parë në Grupin G.
“Unë u them se nuk është se mendoj shumë për ta. Unë mendoj për Shqipërinë. Simpati kam për ata sepse janë pjesë e futbollit të ish Jugosllavisë. Më shumë simpati kam për ta se për Francën”, ka thënë Kuze.
Pavarësisht pozitës në tabelë (vendi i pestë në Grupin D me vetëm 8 pikë), Kuze mendon se me lojtarët dhe rezultat e arritura gjatë eliminatoreve dhe takimeve miqësore ka bërë që Shqipëria të ngrihet në renditjen e FIFA’s e po ashtu edhe t’i bëjë publicitet ekipit kuqezi.
Ndeshje e veçantë për Canën
Ndeshja ndërmjet Francës dhe Shqipërisë do të jetë e veçantë për Lorik Canën, i cili ka bërë emër në futbollin francezë me skuadrën e PSG’së e sidomos me atë të Marseilles, ku fitoi edhe trofe. Kapiteni i Kombëtares shqiptare thotë se kuqezinjtë do të mundohen të fitojnë në Stade de France, edhe pse përballë kanë një skuadër të fortë.
“Mendoj se çdo ndeshje me ekipin kombëtar ka shijen e vet. Mendoj se pas të gjithë atyre viteve që kam luajtur në Francë, në një vend ku jam rritur si futbollist e si njeri, natyrisht që është e veçantë për mua. Në një vend (stadium) ku kam luajtur katër finale të Kupës së Francës. Aty kam familjen time, kam shumë miq atje. Do të jetë një ndeshje e bukur, e veçantë, që do të mundohemi ta fitojmë, pastaj edhe të shijojmë momentin, pasi raste të tilla nuk vijnë shumë për një futbollist”, ka thënë Cana të mërkurën
Ekipit kuqezi të premten do t’i mungojnë Altin Lala, Erjon Bogdani, Ansi Agolli e Admir Teli (të suspenduar), Ervin Skela, që është tërhequr nga përfaqësuesja, dhe Dabatik Curri i lënduar.
Për Lorik Canën këto janë mungesa të mëdha. Por, ai beson se futbollistët e rinj do ta japin 100 përqindëshin nga vetja në këtë sfidë dhe në fund do të dalin kokë lart nga Stade de France.
Në anën tjetër, mesfushori i Lazios ka mohuar se para ndeshjes së parë me Francën ka pasur mosmarrëveshje mes futbollistëve për shiritin e kapitenit. Sipas kosovarit, lojtarët janë të lidhur në mes veti si asnjëherë më parë.