Cana: Nuk jemi si Lioni
Lorik Cana e ka përjetuar keq eliminimin e Olimpikut të Marsejës nga Kupa e Francës, përballë skuadrës së kategorisë së katërt, Karkefu. Ai është shprehur se ekipi nuk është ende gati për të synuar çdo objektiv, ashtu siç bën Olimpiku i Lionit. "Brenda një jave humbëm në dy kompeticione (Kupa UEFA, Kupa e Francës), që ishin objektivat e klubit, por pjesëmarrja në Kupën e Francës shkon me traditën marsejeze. Nga ana tjetër, imazhi që lamë me dy ndeshjet e fundit parakupton një pikë negative në ecjen tonë. Është shumë e vështirë të përtypësh kur eliminohesh nga një ekip i kategorisë së katërt. Por kemi lënë pas më të vështirën. Objektivi ynë është shumë i qartë, kualifikimi në Ligën e Kampioneve. Luajmë gjithçka për të. Ka një tërësi faktorësh që na penguan. Duke luajtur për të fituar pa ndalim, ndonjëherë është e vështirë të vazhdosh duke fituar. Lioni, për shembull, di ta bëjë këtë. Ne ekipi i madh? Jo. Kjo është shumë e qartë. Ne nuk kemi pretenduar kurrë të jemi të tillë. Ne jemi një nga ekipet më të mira franceze, por pas Lionit. Nuk arrijmë dot të ruajmë një rregullsi në tërësinë e sezonit", ishte kritika e Canës.