E Diel, 1 Nëntor 2026

Klubet: Bojkot! Duam Asamble të Jashtëzakonshme

Kampionati shqiptar në kaos. Klubet kryesore të Kategorisë Superiore kanë vendosur të vënë në zbatim ultimatumin drejtuar FSHF-së, duke konfirmuar bojkotin për ndeshjet e sotme të Kategorisë Superiore. Ajo që nisi në zyrat e Ministrisë së Sporteve (gjatë ultimatumit të parë "bojkotuesit" janë parë të hyjnë dhe dalin në këtë institucion), pritet të bllokojë sot futbollin e luajtur, ose të paktën atë pjesë që ka mbetur prej tij pas pezullimit të FIFA-s dhe UEFA-s për ndërhyrje të forta politike në FSHF. Presidentët dhe donatorët e skuadrave kanë bërë të qartë se nuk dëshirojnë të vazhdojnë investime të kota, pa pasur mundësinë e përfaqësimit në Kupat e Evropës, ndaj preferojnë më mirë që të ndalet kampionati, derisa Shqipëria të ripranohet në arenën ndërkombëtare. Për më tepër, ata kanë bërë të qartë se kanë mbledhur 22 firma të anëtarëve të FSHF-së, të mjaftueshme për të kërkuar zhvillimin e Asamblesë së Jashtëzakonshme të këtij institucioni.

Përfaqësuesit e Tiranës, Partizanit, Vllaznisë, Elbasanit, Besës, Shkumbinit dhe Elbasanit, kanë konfirmuar dje bojkotin e kampionatit të futbollit, pasi FSHF-ja nuk i ka plotësuar kërkesat e tyre. "Ne, 7 klubet e Superiores, vendosëm sërish bojkotimin e kampionatit, në shenjë proteste kundër mosreflektimit të Federatës. Kërkojmë të caktohet urgjent data për mbledhjen e Asamblesë së Jashtëzakonshme, në bazë të statutit, neni 25, pika 2, ku janë mbledhur më shumë se 21 vota anëtarësh të nevojshme për këtë Asamble. Kërkojmë shtyrjen e kampionatit deri në caktimin e datës për mbledhjen e Asamblesë së Jashtëzakonshme. Në rast mosplotësimi të kërkesave të mësipërme, si dhe në rast të marrjes së ndonjë mase penalizimi ndaj klubeve që do të bojkotojnë nesër (sot), do të ndërmarrim çdo veprim demokratik për mbrojtjen e të drejtave tona, deri në protesta, si dhe deri në bojkotim total të kompeticioneve futbollistike", shkruhej në deklaratën e firmosur dje nga përfaqësuesit e shtatë klubeve të Kategorisë Superiore.

Presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, ka sqaruar se ka shkuar në 22 numri i anëtarëve që kërkojnë mbledhjen e menjëhershme të Asamblesë së Jashtëzakonshme. "Ju informojmë se numri i klubeve ka shkuar në 22 dhe këtë kërkesë do e depozitojmë në FSHF, konform të gjitha rregullave. E marrim këtë hap, pasi kërkojmë më shumë respekt ndaj investimeve tona, pasi jemi përgjegjës edhe para futbollistëve dhe tifozëve. Gjithsesi, jemi të gatshëm të bashkëbisedojmë në çdo orë dhe datë me drejtuesit e FSHF-së për zgjidhjen sa më parë të këtij problemi", u shpreh ai. Ndërkohë, presidenti i Shkumbinit, Xhavit Ismaili, sqaroi se mbledhja e Asamblesë së Jashtëzakonshme nuk kishte si qëllim largimin e presidentit Duka, por sqarimin e situatës mbi ndryshimin e shumëpërfolur të statusit nga ministri Pango. "Ne kërkojmë mbledhjen e Asamblesë për miratimin e statutit të FSHF-së, jo për të larguar presidentin Duka. Aty kërkojmë të na sqarohet nga ana juridike kjo çështje, pasi është mëkat të përjashtohesh vetëm për një pikë të statutit. Nëse Asambleja vendos që të mos miratohet ky ndryshim, atëherë të gjithë së bashku do të vazhdojmë të rrimë jashtë Evropës. Nuk jemi të manipuluar nga ministria dhe nëse del që e ka fajin MTKRS-ja, atëherë do të protestojmë para dyerve të saj", u shpreh Ismaili.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›