E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ranieri, kundër ndihmave: Ne luajmë për vetveten

Ndeshja mes Interit dhe Juventusit në "San Siro" mund të jetë vendimtare në luftën për titullin kampion, pasi një fitore e mundshme e bardhezinjve mund të rihapë gjithçka. Por trajneri Ranieri nuk e mendon këtë si një ndihmë ndaj një ekipi tjetër, pasi për të, të gjitha skuadrat duhet të trajtohen si kundërshtare. "Unë bëj tifo vetëm për Juventusin, nuk më intereson asgjë rreth të tjerëve". I ashtuquajturi "derbi i Italisë" është një ndeshje e ndezur dhe shumë e veçantë, ndaj trajneri ka preferuar të mos flasë për taktika apo për formacionin që do të hedhë në fushën e lojës. Ranieri nuk mendon se Interi është jashtë formës, duke e hedhur poshtë këtë teori. "Kur luan kundër Juventusit, forma e lojtarëve rritet vetvetiu. Nëse ata kanë aftësi, do ta nxjerrin në pah, pasi janë kampionë. Duam t‘u prishim punë të gjithëve, e bëmë këtë me Romën dhe shpresojmë që të përsëritemi kundër Interit. Ne jemi të ndërgjegjshëm se mund të bëjmë mirë. Gjatë këtij viti kemi zbuluar strukturën tonë. Interi do të luajë për të fituar, ndaj do të jetë një ndeshje e hapur. Por ajo që mund ta humbë kampionatin është vetëm Interi. Shpresoj që të mbetet një ndeshje e pasigurt deri në momentin e fundit. Ne duhet të bëjmë një ndeshje me kujdes dhe cinizëm, duhet të tregojmë kujdes ndaj të gjithëve", u shpreh trajneri i Juventusit.

Ndonëse bardhezinjtë barazuan pa gola me Empolin pak ditë më parë, Ranieri mendon se skuadra është në formën e duhur për të përballuar një ndeshje të nivelit të lartë. "Ne jemi në formë shumë të mirë. Lojtarët e Empolit në fund të ndeshjes e kishin të vështirë të vraponin nga lodhja, ndërsa ne kishim energji për të kërkuar më shumë, ndonëse nuk arrinim të gjenim të çara. A vlen kjo ndeshje sa i gjithë sezoni? I gjithë ky kampionat vlen sa një sezon. Duhet ta mbyllim mirë, në mënyrë që sezoni të cilësohet pozitiv", vijoi ai. Trajneri i Juventusit ndalet edhe te objektivi i skuadrës, Liga e Kampioneve. "Champions është një gjë shumë e bukur, por ajo që vlen është edhe pak më shumë fat që të mundëson të arrish në këtë periudhë me të gjithë lojtarët në formë. Ky është momenti më vendimtar. Asnjë skuadër nuk mund të thotë se luan për Ligën e Kampioneve, por provon ta arrijë këtë objektiv...", u shpreh ai. Ranieri nuk pranon kritika për lojën e skuadrës, ndonëse pranon se ekipi mund të përmirësohet më shumë në disa aspekte, ashtu siç kishte deklaruar një ditë më parë edhe sulmuesi Trezege. "Jam dakord nga një aspekt, por kundër në aspektin tjetër. Është e vërtetë që në disa rrethana nuk jemi të rrjedhshëm ashtu siç na pëlqen, por nuk duhet t‘i përgjithësojmë gjërat. Në mbrojtje po luajmë shumë mirë dhe kur ka ndeshje të hapura arrijmë t‘i interpretojmë mirë. Por çështja e lojës varet nga momenti. Barcelona e dy viteve më parë ishte skuadra më e bukur, por këtë vit, me të njëjtit lojtarë nuk po ndodh e njëjta gjë. Lojtarët më kanë thënë se po argëtohen më shumë se dy vite më parë, kur skuadra ishte "e blinduar". Më duket se atëherë kritikohej edhe Kapelo", përfundoi deklaratën e tij trajneri i Juventusit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›