E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pezullohet Çaviç, në podium me bluzë "Kosova është Serbi"

Një notar serb është pezulluar nga Kampionati Evropian i notit që po zhvillohet në Holandë, pasi u prezantua në ceremoninë e ndarjes së medaljeve me një bluzë ku shkruhej "Kosova është Serbi". Skuadra e tij bëri të ditur se do ta apelonte vendimin. Një panel disiplinor i evenimentit më të rëndësishëm të notit në kontinent, LEN, e cilësoi bluzën e veshur nga Milorad Çaviç gjatë ceremonisë ku ai mori medaljen e artë në garën e 50 metrave flutur si "një veprim të pastër politik", që është në kundërshtim të plotë me rregullat. "Si rrjedhojë, penali vendosi të pezullojë z. Milorad Çaviç nga pjesëmarrja në garat e tjera individuale në Kampionatin Evropian", citohej në deklaratën për shtyp. Federata Serbe e Notit, e cila është gjobitur me 10 mijë e 800 dollarë, bëri të ditur se synon ta apelojë vendimin. Megjithatë, zyrtarët e këtij institucioni u shprehën të shqetësuar se apeli nuk do të përfundojë në kohë dhe se notari Çaviç rrezikon të mos marrë më pjesë në garat që po mbahen në Eind‘hoven. "Në momentin që flasim, pjesëmarrja e Çaviç në Evropian përfundoi", tha Mladen Kapor, menaxher i skuadrës serbe. Ky i fundit e cilësoi vendimin si "shumë strikt". "Të përjashtosh mbajtësin e rekordit (në 50 metra flutur) nga Kampionati Evropian është diçka shumë serioze", vazhdoi Kapor. Çaviç, i cili duhej të garonte edhe në garat 100 metra stil i lirë dhe 100 metra flutur, deklaroi se me bluzën që mbante veshur kishte tentuar të transmetonte "energji pozitive" për vendin që përfaqëson. "Nuk e bëra këtë veprim që të provokoja zemërim, apo të provokoja dhunë", tha notari që jeton dhe stërvitet në Florida për "The Associated Press". "Vendi është ndarë në dy pjesë dhe... synimi im ishte që t‘u ngrija moralin njerëzve atje".

Pezullimi i Çaviç është etiketuar si "skandaloz" nga ministri i Sporteve në Serbi, Snezana Samardziç-Markoviç. "Sportisti ynë nuk kishte një bluzë me portretet e të dyshuarve për krime lufte, ai nuk po bënte thirrje për luftë", tha zyrtari. Reagime kanë ardhur edhe nga presidenti Boris Tadiç, i cili tha "se nuk dëshiron që politika të futet në sport... por ndiej se ndaj vendit që përfaqësoj po bëhen padrejtësi". Ndërkohë, Kryeministri Vojislav Koshtunica i kërkoi Ligës Evropiane të Notit që të ndryshojë vendimin, duke thënë se pezullimi është "humbje e sportit".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›