"Dorëheqje nëse ekipet do të zbresin në fushë"
Drejtuesit e dy skuadrave, që në dy sezonet e fundit kanë fituar titullin kampion në vend (Elbasani dhe Tirana), bëjnë të ditur se nëse bojkoti nuk do të zbatohet, ata do të japin dorëheqjen. Presidenti i verdhebluve, Arben Laze, dhe donatori i Tiranës, Refik Halili, deklaruan pas mbledhjes së djeshme, se largimi është i paevitueshëm nëse ekipet do të zbresin në fushë për javën e 24-t të Kategorisë Superiore. "Elbasani nuk do të zbresë në fushën e lojës. Kam qenë i pranishëm në këtë mbledhje së bashku me zv/presidentin Çërraga, ku kemi rënë dakord me drejtuesit e gjashtë skuadrave të tjera të Superiores për të mos luajtur nesër (sot), tha Laze. Do të jap menjëherë dorëheqjen nëse skuadra nuk do ta zbatojë këtë vendim. Më pas do të kërkoj edhe dorëheqjen e presidentit të FSHF-së, Duka dhe të ministrit Pango". Edhe Halili ka mbajtur të njëjtin qëndrim, pavarësisht se ka pranuar se kërkesën për bojkot e ka paraqitur pa konsulta me donatorët e tjerë të skuadrës bardheblu. "Jemi të detyruar ta marrim këtë vendim për investimet që bëjmë në futboll. Kemi tre vjet që presim zgjidhjen e problemit ndërmjet MTKRS-së dhe FSHF-së, ka pasur të gjithë kohën e mjaftueshme", tha ai. "Unë kam shprehur qëndrimin tim si donator, por të tjerët (tre donatorët e Tiranës) nuk më kanë kontaktuar, qoftë edhe me telefon. Do të largohem nga Tirana deri sa të zgjidhet situata. Derdhja e lekëve në arkat e klubit është bërë deri në fund të sezonit, pra ekipi nuk do të ketë probleme financiare. Do të kthehem në Asamblenë e klubit, ku do të flas vetëm në emrin tim. Unë kandidaturë për president të federatës? Nuk kam ndërmend të konkurroj për këtë post, por do të vazhdoj të investoj në sport".