Cana, bamirësi me Zidanin e Kantonanë
Kapiteni marsejez është shqiptari i vetëm në ndeshjen e 21 prillit në Gjenevë ndaj Fondacionit 4-4-2. Fondet do jepen për futbollin e fëmijëve të varfër nëpër botë
TIRANË – Këtë herë nuk do të jetë Ronaldo, por Zinedin Zidan nuk do të mungojë. Lorik Cana do të marrë pjesë në një tjetër ndeshje bamirëse, këtë herë jo si ambasador i PNUD-it, por si kapiten i Olimpikut të Marsejës, në një ndeshje të organizuar nga një ish-kapiten më i lashtë i OM-së, Fabio Selestini. Takimi do të luhet më 21 prill në stadiumin e Gjenevës në Zvicër, mes një OM-je të përzier (të rinj e veteranë) dhe një skuadre të quajtur “Fondacioni 4-4-2” (në anglisht “4-4-2 Fondation”).
Ky formacion drejtohet nga vetë Selestini, ndërsa qëllimi i ndeshjes është të grumbullojë fonde për zhvillimin e futbollit për fëmijët e varfër, sidomos në vende të tilla si Kubë, Brazil apo edhe tek klubi i parë i Selestinit, Renes. Në radhët e OM-së do të jenë lojtarë të famshëm të klubit në të kaluarën si Zinedin Zidan apo Erik Kantona. Po ashtu do jenë Enco Franseskoli, Zhan-Pjer Papen, Manuel Amoros, Paskal Olmeta, Fabricio Ravaneli, Bazil Boli, Soni Anderson, Mikael Laudrup, ndërsa nga lojtarët e sotëm do jenë edhe Zhibril Sise, Budevajn Zenden etj.
“Jam shumë i lumtur që ramë dakord të luajmë në një ndeshje të tillë, - tha Cana për gazetën lokale, “Le Focheen”, - ky rol erdhi si kapiten i OM-së dhe është krejtësisht normale që ta shoqëroj imazhin tim me atë të klubit dhe të jap ndihmën time sado të vogël për të ndihmuar këtë projekt”. Loriku u bë ambasador i PNUD-it në dhjetor 2006 dhe një ceremoni u organizua në Prishtinë më 27 dhjetor, ku atij iu dorëzua edhe certifikata përkatëse nga PNUD-i i Kosovës.
“Do bëj më të mirën time që të ndihmoj njerëzit e Kosovës, - tha Loriku atë ditë. Cana ia kaloi yjeve të tillë të sportit si Didier Drogba apo Maria Sharapova që u bënë ambasadorë vetëm në muajt e parë të vitit 2007. Plani i shqiptarit është një ndeshje bamirësie në Prishtinë. “Sapo përfundoi ndeshja në Marsejë (në mars 2007), - tregon Loriku, - bisedova me Zidane-n, për idenë time dhe ai ra dakord. Po ashtu kam folur edhe me Ronaldo-n, edhe ai nuk ka asnjë kundërshtim”.