E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode u hedh "benzinë" gjobave

Ridvan Bode

Financat propozojnë heqjen e parapagimit 15 për qind të gjobave, në rast se apelimet e biznesit nuk do të shqyrtohen nga gjykata

Ligji mbi parapagimin e gjobave në masën 15 për qind duket se do të rindezë edhe njëherë debate mes qeverisë dhe biznesit. Krijimi i gjykatës administrative, e cila do të ishte shpëtimi i biznesit, për shkak të parapagimit të gjobave në masën 15 për qind nuk është ende në rrugën e drejtë. Biznesi do të vazhdojë të parapaguajë gjobat në masën 15 për qind, ndërkohë që më pas mund ta apelojë vendimin e tatimorëve në gjykatë. Ministri i Financave, Ridvan Bode, duke i cilësuar tatimorët më të besueshëm se gjykatat, ka propozuar që parapagimi i gjobës mund të hiqet vetëm në rast se apelimet e biznesit nuk do të shqyrtohen nga gjykata, por nga tatimorët. Ministri i Financave, Bode, deklaroi se parapagimi i gjobës prej 15 për qindësh është i domosdoshëm në kushtet e ndërhyrjes kategorike të gjykatës, tek e cila ngelin një masë e akteve administrative. Sipas Bodes, apelimi në gjykatë i kushton mjaft administratës tatimore, pasi këtu prej vitesh kanë ngrirë një pjesë e mirë apelimeve. “Ekzistojnë shumë biznese, të cilët i kanë borxhe të shumta tatimeve që nga viti 2000, dhe kjo pikërisht se bëhet fjalë për çështje që mbeten pezull për një kohë të gjatë në gjykatë”, bëri me dije Bode. Sipas tij, ka mjaft vendime dhe akte administrative që merren nga institucione të larta, si Autoriteti i Konkurrencës apo Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, të cilat nuk kanë marrë asnjë zbatim konkret, sepse kanë mbetur sërish tek gjykata dhe hallkat e saj. Madje, në lidhje me këtë çështje, ministri Bode parashtroi edhe mundësinë e heqjes së parapagimit të gjobës, por e shoqëruara me ndërprerjen e ndërhyrjes së gjykatës në ekzekutimin e akteve administrative. Pra, në këtë rast, apelimi i biznesit do të bëhet nga tatimorët. Po ashtu, ministri i Financave, Bode, i pyetur sesi do të realizohet përmes procedurave të reja tatimore zëvendësimi i policisë tatimore me një organ alternativ, sqaroi se një tjetër polici do të veprojë për investigimin e veprimtarisë së bizneseve. Sipas përcaktimit të Bodes, bëhet fjalë për një Polici Gjyqësore, e cila do të përfaqësojë një organ investigativ në administratën tatimore. Madje, sipas Bodes, këta përfaqësues do të jenë të pajisur edhe me armë të nevojshme në raste shkeljesh nga ana e biznesit, të cilat shoqërohen deri me konfiskimin e mallit të subjektit. Në lidhje me gjykatën administrative, ministri i Financave, Ridvan Bode, bëri të qartë se mundësia e ngritjes së tyre nuk përfshihet në rreshtat e projektligjit “Për procedurat tatimore”. Sipas tij, ngritja e këtyre gjykatave do të bëhet përgjatë një reforme të re dhe pikërisht asaj gjyqësore dhe jo në këtë rast që bëhet fjalë për reformë të mirëfilltë tatimore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›