Cana bën “babain” për Ben ArfënKapiteni i Marsejes: "“Unë jam një nga ata që besojnë te ai". Vetë Ben Arfa e cilësoi humbjen me Lionin si një “goditje pas koke”

Lorik Cana sërish në rolin e “babait shpirtëror” të Hatem Ben Arfës. Kapiteni shqiptar i Olimpikut të Marsejës, ashtu siç ka bërë edhe më parë, ka marrë nën “sqetullën” e tij edhe kësaj radhe fantazistin e skuadrës së tij pas kritikave të shumta pas humbjes 1-3 me Lionin, që krijoi edhe atë diferencë negative prej tri pikësh me Bordonë kryesuese, kur kanë mbetur edhe dy javë për t’u luajtur nga kampionati francez.
“Unë jam një nga ata që besojnë te ai, edhe pse është shumë e vërtetë, që në një ndeshje si ajo e së dielës, të gjithë prisnim nga ai të bënte diferencën. Fatkeqësisht, kjo nuk ndodhi. Nuk ishte në top-formë, por objektivi ynë është të marrim më të mirën prej tij, pasi ai është ‘asi nën mëngë’ për klubin për këtë fund sezoni dhe ato të ardhshëm”, - tha Cana.
Vetë Ben Arfa e cilësoi humbjen si një “goditje pas koke”. “Kanë mbetur edhe dy ndeshje, por ne do të luftojmë të dalim kampion”, - tha ai.
E Hene, 18 Maj 2009