Trajneri Josip Kuzhe ndjek kuqezinjtë në Tirana-Gramozi!
Fundjava futbollistike e Kategorisë Superiore ka parë të angazhuar edhe trajnerin e Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, i cili ka ndjekur nga afër ndeshjen Tirana-Gramozi, që u zhvillua në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Kroati qëndroi i ulur në tribunën VIP së bashku me shumë personalitete të tjera. Ai ka qenë i interesuar për gjendjen që po kalojnë lojtarët kuqezinj, si Muzaka e Lila, të cilët mund të jenë kandidatë për t’u bërë pjesë e Kombëtares në ndeshjet e ardhshme. Po ashtu Kuzhe po eksploronte edhe për evidentimin e ndonjë futbollisti, i cili mund ta japë ndihmën e tij në të ardhmen për përfaqësuesen tonë. Ndërkohë që në ditët në vazhdim pritet që tekniku të bëjë të ditur edhe listën e futbollistëve, të cilët do të thirren për dy ndeshje miqësore të radhës, që Kombëtarja jonë do të duhet të luajë ndaj Malit të Zi në Podgoricë më datën 25 maj dhe më pas përballë Andorrës në “Qemal Stafa”, në ditët e para të qershorit.
#