E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tomori ndal Skënderbeun, disfatë për Flamurtarin

Skënderbeu nuk ka mundur dot të marrë i vetëm kryesimin e kampionatit, duke mos shkuar më shumë se një barazim pa gola në Berat kundër Tomorit. Ndonëse ka dominuar në lojë dhe në raste, ekipi kampion i vendit në fuqi, ka shpërdoruar shumë me atë të dyshes sulmuese Pejiç e Plaku, duke bërë që të mbesin në kuotë të barabartë pikësh me Tiranën, e cila dy ditë më parë kishte barazuar 1-1 në fushën e saj. Për korçarët ka qenë një shans i humbur, duke qenë se beratasit kanë zhvilluar vërtet një ndeshje të dobët, duke rrezikuar shumë pak herë portën mike. Për t'u përmendur kanë qenë vetëm disa tentativa të Vangjel Miles, ndoshta më i miri në radhët e vendasve. Gjithsesi, sulmuesi është izoluar mjaft mirë nga lojtarët e Skënderbeut. Portieri i Tomorit ka bërë disa pritje vendimtare në këtë ndeshje, ndërkohë që edhe Shehi në minutën e 71-të ka rrezikuar ta pësojë në të vetmin aksion të mirë të vendasve. Gjuajtja e Jusufit është përplasur në shtyllë, duke i ndaluar beratasit të festojnë golin. Në minutat e fundit korçarët kanë rrezikuar disa herë. Sidomos Sebino Plaku, i ka patur të gjitha mundësitë pas asistit të Sabien Lilajt, por sërish ka shpërdoruar.
Teuta-Flamurtari
Nuk gjen paqe Flamurtari i ndërtuar për të fituar titullin kampion. Skuadra vlonjate, e përforcuar me elementë të shumtë në merkaton e verës, dje ka pësuar humbjen e radhës, këtë herë përballë Teutës. Në Durrës, vendasit kanë dalë fitimtarë, duke shënuar një gol "in-extremis" me anë të Eminhazerit. E të mendosh që Teuta ishte me 10 vetë deri në këto momente, ndërsa vlonjatët ishin në kërkim të golit të fitores. Arjan Sheta zhbllokoi shifrat në këtë takim, duke realizuar në minutën e 16-të. Më pas, ai doli me të kuqe, duke lënë Teutën me 10 vetë, ndërkohë që në minutën e 60-të Memelli barazoi shifrat. U duk se gjithçka po fliste për vlonjatët, por në shtesë, Eminhazeri i dha një tjetër goditje të fortë skuadrës së Hulian Rubio Sançez.
Laçi-Kukësi
Kukësi ka mbetur sërish i pamposhtur në kampionat, duke barazuar 1-1 në fushën e vështirë të Laçit, në një ndeshje ku skuadra e Armando Cungut edhe mund të kishte marrë 3 pikët. Kuksianët njohin 4 barazime dhe 1 fitore deri më tani, një ecuri kjo mjaft e mirë po të kihet parasysh se ata debutojnë në Superligë. Ndaj Laçit ata mund të kishin marrë 3 pikët nëse Allmuça e Popoviç do të realizonin në ato mundësi të mira që patën në pjesën e parë. Në të dytën, laçianët e kanë vënë lojën nën kontroll, duke gjetur edhe rrugën e golit në minutën e 79-të me anë të Buljan nga pika e bardhë e penalltisë. Kur mendohej se kurbinasit do të merrnin 3 pikë, Kukësi barazon me anë të Malindit 5 minuta para fundit, duke marrë një tjetër rezultat pozitiv.

(er.nu/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›