E Diel, 1 Nëntor 2026

Kakavijë, defekti në sistem kthen regjistrat

GJIROKASTER – Një defekt i konstatuar në sistemin informatik në pikën kufitare të Kakavijës ka krijuar probleme në kalimin e udhëtarëve drejt Greqisë dhe atyre që kërkonin të hynin në territorin shqiptar përmes kësaj nyje kufitare. Luhatjet e herëpashershme të tensionit kanë qenë bartëse të anomalive elektronike, të shfaqura në sistemin TIMS të të dhënave për të gjithë shtetasit shqiptarë, si dhe në sistemin e identifikimit të shtetasve të huaj që vijnë në Shqipëri. Për gati 120 minuta, situata ka qenë tepër problematike, aq sa ka detyruar policët kufitarë dhe kontrollorët e turneve të nxjerrin nga sirtari regjistrat, duke vepruar manualisht me të gjithë udhëtarët që dilnin dhe vinin në Shqipëri. Ky veprim, i diktuar nga kushtet e krijuara, është shoqëruar me radhë në territorin shqiptar të Kakavijës, kryesisht të automjeteve, të cilat ishin në pritje për të kaluar në territorin grek apo dhe të atyre që kërkonin të hynin në territorin tonë. Pas ndërhyrjes në sistem të specialistëve të informatikës, situata nga orët e mesditës së të dielës është përmirësuar, duke rikthyer normalitetin në qarkullimin e njerëzve dhe udhëtarëve, në të dyja anët e Kakavijës. Përgjatë katër ditëve të fundit, Kakavija ka qenë e bllokuar në mënyrë të njëanshme nga ana e doganierëve dhe administratës policore helene, si pasojë e një greve dyditëshe, të thirrur nga Konfederata e Sindikatave të Pavarura në Greqi.               p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›